Armando Cungu, trajneri i Kukësit, pas ndeshjes me Tiranën, ka folur në emisionin “Gol pas Goli” në Supersport. Shkodrani analizoi ndeshjen, komentoi rastin e kartonit të kuq dhe tregoi problemet e skuadrës së tij, që vijnë nga dëmtimet dhe mungesat.
“Lamë dy pikë. Jam dakord që në 15 minutat e fundit Tirana ishte më e freskët. Disa nga lojtarët tanë po sakrifikojnë, nuk janë rikuperuar. Janë të detyruar të luajnë. Kukësi luajti më mirë se Tirana. Veç penalltisë, edhe në fund mund të shënonim. Ky është futbolli, por pikët e lëna peshojnë shumë.
“E kam theksuar, Kukësi është ekip i ri në përbërje. Ka edhe djem të rinj që kanë punë për t’u rritur dhe për të marrë përgjegjësi. Edhe dëmtimet janë të rëndësishme. Rrumbullaku, Musolli dhe Shameti janë lojtarë kyç që kanë mbajtur peshën e ekipin. Kanë kontribuar maksimalisht. Kemi pasur dëmtime të Shkodrës, Uilliam, Dzarias, Maliqit. Nuk janë pak besoj të kesh një situatë të tillë. Këto janë problemet tona”.
“Protestat nuk lejohen, por më thoni një që nuk proteston edhe me gjeste. Mendova se mos ishte një gjest anti-sportiv. Nuk shoh diçka shumë shqetësuese për të marrë një masë drastike. Është një vendim i gjyqtarit që më duhet ta respektoj. Lojtari ynë flet veç portugalisht dhe më duket pak e ekzagjeruar”.
“Mungesa e freskisë erdhi prej dëmtimeve. Kishim 4 lojtarë të dëmtuar në fushë, për të mos shtuar edhe mungesat e tjera. Këto situata ndikojnë. Çova Shpehar, çova Krasniqin në nxehmje. Nuk kisha garanci se luante Shkodra dhe do fusja Krasniqin. Shkodra luajti me këmbë të ënjtur. Nuk fusnim dot lojtarë të huaj, pasi e kishim plotësuar numrin. I përgëzoj djemtë për lojën, asnjë nuk është i kënaqur për rezultatin. Është e drejtë ajo që thoni se në fund na ranë pak bateritë”.
“Që kur kam ardhur doja një lojtar që mban topin, jep pasin e fundit. Nëse Shafik del nga loja, zbehemi në sulm. Mund të luash me dy sulmues, por nuk u shkon topi. Me Flamurtarin sakrifikova mesfushor, por sërish e mbajta Shafik në lojë. Është i domosdoshëm, po rritet fizikisht. Ka lënë për të dëshiruar në këtë aspekt. Sa më shumë rritet fizikisht, as më shumë kontribuon në lojë”.
“Presioni është prezent kudo, edhe tek unë. Jam mësuar dhe kam ardhur të bëj më të mirën këtu. Ka qenë një ekip me probleme. Tani luajmë futboll. Nuk kam parë një ekip që e ka mposhtur me futboll Kukësin. Këto janë mundësitë, nuk i trembem asgjëje. Jam i bindur se e kam bërë shumë mirë punën time. Sa i takon presionit, jemi profesionistë dhe dimë ta mbajmë atë.”