Tekniku Cungu kërkon rritjen e parametrave fizike, pasi edhe një ndër shkaqet e humbjes me durrsakët ishte gjendja fizike e të tijve
Gaspër Marku
Ka mjaftuar java e dytë e përballjes me Teutën e Durrësit që te Vllaznia të dalin në pah edhe disa nga problemet dhe të metat që shfaqen në gjirin e skuadrës. Dhe, për teknikun Cungu një nga arsyet që i çoi në dështimin e ndeshjes të së dielës së kaluar është edhe gjendja jo e mirë fizike e disa futbollistëve. Madje, gjatë analizës së tij, tekniku shkodran e vë gishtin direkt tek reparti i mesfushës, duke pohuar se në atë përballje kundërshtari ishte superior thuajse në të gjitha dyluftimet. “Për mendimin tim, Teuta dominoi ndaj nesh thjesht nga gjendja fizike, sidomos në lojtarët e mesit të fushës. Po ta keni vënë re me qetësi ndeshjen, çdo top i parë kapej nga lojtarët durrsakë, dhe të paktën në momentin që lojtarët tanë ishim me top në këmbë, duhet të ishim më padronë të fushës dhe të mos e dorëzonim këtë top, por as atë gjë nuk e bëmë sot”, thekson tekniku Cungu, duke përcjellë shqetësimin e tij për këtë element, që sipas tij për momentin është pikë delikate e skuadrës. Duke folur për të ardhmen dhe mundësitë që kuqeblutë kanë për t’u rikthyer tek fitorja, Cungu është i mendimit se Vllaznia ka potenciale natyrshëm për t’iu rikthyer rezultateve pozitive, por nënvizon se për këtë duhet patjetër që të rrisim gjendjen fizike të disa sportistëve. Ndërkohë, i pyetur konkretisht për sfidën e fundjavës me Luftëtarin, tekniku Cungu është optimist që skuadra do të reflektojë në këtë ndeshje, por gjithsesi si kundërshtarin e kësaj jave, por edhe në përgjithësi të gjithë ekipet e Superiores së këtij sezoni ai i konsideron të vështira, duke e cilësuar ndoshta sezonin më të vështirë të viteve të fundit. “Unë kam theksuar që ky kampionat është shumë më i egër se i vjetshmi. Me përjashtim ndoshta të Lushnjes, ku edhe Lushnja nuk duhet përjashtuar kaq herët, të gjitha ekipet e tjera janë jashtëzakonisht të vështira për t’u mundu, pasi kanë në gjirin e vete shumë kualitete dhe natyrshëm e vështirësojnë këtë situatë. Nuk ka më ekipe të mira dhe ekipe të vogla, ju e shikoni edhe ekipin e Kamzës që ka ndërtuar një grup krejtësisht të ri me shumë emra të Superligës shqiptare, kështu që do të jetë shumë i vështirë ky kampionat”, komenton Cungu.
Ngarkesat – Duket se në programin e kuqebluve për këtë sezon futbolistik ngarkesa me seanca stërvitore në ditë do të jetë e vazhdueshme. Një gjë të tillë tekniku Cungu e ka aplikuar edhe në javët e mëparshme, ndërkohë që edhe dje ka qenë një gjë e tillë, kur në orët e paradites skuadra ka konsumuar një seancë intensive në një nga palestrat moderne të forcës në qendër të qytetit të Shkodrës e mundësuar kjo nga ish-futbollisti shkodran, Admir Teli, njëkohësisht edhe anëtari Bordit Vllaznia që është njëherazi dhe pronari dhe administratori i saj. Ndërkohë, në orët e pasdites si zakonisht skuadra është vendosur përsëri në fushën e stadiumit “Reshit Rui” ku në planin stërvitor të trajnerit Cungu kanë vijuar të jenë ushtrimet e larmishme me topin.