Armando Cungu, trajneri i Kukësit, doli sot para mediave dhe foli për situatën në klubin verilindor. Gjithashtu ai sqaroi se gjithë kohën ka qenë i qetë. Shkodrani përsërit se skuadra e tij po bën lojë të mirë, por shpesh fati e ka penalizuar.
SITUATA – “Kemi një periudhë negative në rezultate, jo në lojë. Kemi dominuar kundërshtarët. Na kanë penalizuar episodet, por edhe fati. Me Teutën mund ta mbyllnim ndeshjen, por futbolli i tillë është. Nuk shoh ndeshje të lehta, as në letër dhe as në fushë. Ato bëhen edhe më të vështira, sidomos ndaj ekipeve si Kamza që nuk kanë çfarë humbin. Ne hyjmë në fushë për maksimumin dhe jam i bindur se nuk do të jetë e lehtë. Shpresoj që fati tani të na buzëqeshë ne. Besimi tek ekipi nuk ka humbur asnjë moment”.
BESIMI I PRESIDETIT – “Me sinqeritetin më të madh them se kam qenë i qetë dhe jam. Jam i bindur te puna që kam bërë, jam munduar të bëj maksimumin. Më kënaq edhe puna e djemve, me gjithë vështirësitë. Rezultatet nuk kanë qenë ato që prisnim. Në futboll ndodh edhe kështu, jo gjithmonë merr atë që meriton. E kam thënë se ekipi po tenton të rigjejë veten. Ndeshja me Teutën më pëlqeu për ekuilibrat dhe më bën të shpresoj për vazhdimësinë. Nuk ka pasur periudhë të vështirë për mua, dy humbje i ndodhin kujtdo. Kemi bërë kampionat të mirë. Mos të harrojmë se luajmë jashtë, por ka ndeshje të veçanta, ku nuk ka pasur dashamirësi të marrim atë që kemi merituar. Na janë dëmtuar lojtarë për shkak të ndërhyrjeve, Kordiero është dëmtuar në fushë dhe nuk është marrë masë ndaj kundërshtarit”.
SPOSTIMI I NDESHJES – “Është një vendim i klubit dhe mendoj se është i drejtë. Nuk mund të luajmë në fushën e tyre, edhe pse në letër quhemi pritës. Gjithë kohen jemi udhëtues. Në Elbasan terreni të mundëson të luash. Të jem i sinqertë edhe terreni na ka penalizuar”.
RELAKS PAS FAZËS NË TURQI – “Nuk ka çështje relaksimi. Kanë ardhur 6 lojtarë dhe na është dashur të ndryshojmë fizionominë dhe vendosjen në fushë. Duhet koha dhe momenti, edhe pse futbolli nuk pret, ashtu sikurse presidenti, unë dhe tifozët. Ishim në Turqi flakë, por jam i bindur se ky ekip do të jetë flakë. Shpresoj që kjo flakë të ndizet që nesër dhe të vazhdojë”.
KATËR FITORE RRESHT – “Presidenti ka kërkesa maksimale. Nuk kam asnjë peng, jam i qetë në punën time. Edhe lojtarët duhet të jenë të qetë për të marrë maksimumin. Do mendojmë për ndeshjet e radhës. Nuk mendojmë dot për 4 ndeshje njëkohësisht”.
DËMTIMET – “Janë shumë të rëndësishëm tre lojtarët që mungojnë. Jemi munduar të bëjmë më të mirën me këta që kemi. Djemtë kanë besimin tim dhe të klubit. E kemi treguar edhe më parë, pasi kemi luajtur me mungesa dhe kemi fituar. Shpresojmë ta bëjmë sërish”.
TITULLI – “Edhe kur kemi qenë 11 pikë pas, nuk jemi dorëzuar. Janë shumë pikë në mes. Me rëndësi është të shohim punën tonë. Kam besim se deri në fund do të jemi për titull. Siç kemi gabuar ne, do gabojnë edhe kundërshtarët. Rëndësi ka çfarë bëjmë ne, jo kundërshtarët. Duhet të ecim përpara dhe të marrim atë që na takojnë. Pjesa tjetër u takon rivalëve, që do të bëjnë kampionatin e tyre”.
GJENDJA PSIKOLOGJIKE – “Ekipi është shprehur për të fituar, jo aq mirë sa në dy fazat e para. Por kemi bërë më mirë se kundërshtarët dhe kemi merituar të fitojmë. Fati nuk ka qenë me ne. Mund të jem i pezmatuar nëse nuk luajmë futboll dhe nuk bëjmë lojë. Kur bëhen 7 raste me Tiranën, nuk besoj se duhet të ketë mërzi. Ka vend për qetësi”.
RAMA DHE SULMI – “Shkurtaj dhe Rexhinaldo kanë luajtur, do aktivizohen edhe bashkë. Duan kohë të japin maksimumin dhe të merren vesh. Sa i takon Ramës, ka progres. Po ingranohet me ekipin. Kam bindjen e plotë se duhet të marrë më shumë minuta”.