Kukësi kërkon fitoren e katërt radhazi në kampionat dhe këtë herë do të kishte edhe më shumë vlerë, duke pasur parasysh që verilindorët përballen me Partizanin kryesues. Dy skuadrat i ndajnë pesë pikë dhe synimi i tyre është titulli kampion.
Para këtij takimi ka folur mbrojtësi Ardian Cuculi, për të cilin kjo ndeshje me të kuqtë është speciale, nisur nga e shkuara e tij. Shqiptari i Maqedonisë për herë të parë në vendin tonë ka mbrojtur ngjyrat e Partizanit.
“Te Partizani kam kaluar një sezon mjaft të mirë, por tashmë jam futbollist i Kukësit dhe mendoj për skuadrën aktuale. Do të jetë një sfidë mjaft e vështirë, ku edhe një pikë do të ishte shumë e rëndësishme”, shprehet Cuculi në Supersport.
Mbrojtësi qendror nuk dëshiron ta quajë një finale ndeshjen me Partizanin, duke kujtuar se ende nuk është mbyllur as gjysma e parë e kampionatit. Gjithashtu ai flet edhe për mungesën e tifozëve.
“Mungesa e tifozëve? Është disi e çuditshme. Është njëlloj si të jesh në një teatër pa spektatorë”, komenton Cuculi faktin që Partizani-Kukësi do të luhet pa praninë e tifozëve, për shkak se të kuqtë u dënuan pas derbit me një ndeshje pa tifozë.
“Do të jetë ndeshje e rëndësishme, pasi ata janë në krye, por nuk është vendimtare për titullin, pasi ka mbetur më shumë se gjysma e kampionatit për t’u luajtur, ndaj mund të rikuperojmë”, ka deklaruar Cuculi, i cili do të sakrifikojë në këtë ndeshje. Një goditje e marrë në kavilje e ka shqetësuar mbrojtësin, por do të jetë në fushë ndaj Partizanit të premten.