CR7 te Juventusi? “Ne kurrë nuk do e bënim, ja pse e blenë”

Juventus ka tërhequr vëmendjen e të gjithëve me transferimin e Kristiano Ronaldos në moshën 33-vjeçare. Plot 117 milionë euro të shpenzuara, por në Torino nuk shqetësohen për këtë. Komentet për këtë lëvizje kanë qenë të shumta dhe mes zërave të ndryshëm ka folur edhe Karl Hainz Rumenige.

Legjenda e Bajernit të Mynihut dhe Gjermanisë ka theksuar se kampionët e Gjermanisë në asnjë lloj mënyrë nuk e mendojnë të investojnë shifra të “çmendura” për lojtarë në moshë të tillë, edhe pse e pranon se ky transferim është ndikuar nga shumë faktorë.

“Transferimi i Kristiano Ronaldos është ai që ka tërhequr më shumë vëmendje. Unë e kuptoj: ai është një lojtar i cili ka fituar gjithçka me Realin e Madridit në vitet e fundit. Ka qenë për pesë vite lojtari më i mirë në botë. Çështjet e marketingut gjithashtu kanë luajtur një rol të madh në lëvizje. Megjithatë, Bajerni nuk investon shuma kaq të mëdha për një lojtar 33-vjeçar”, u shpreh Rumenige për “Tz.de”.

Ai nuk e fsheh që është i surprizuar, por edhe arsyeton se në Torino e kanë bërë diçka të tillë për të “ringjallur” Serinë A.  “Jam surprizuar që homologu im Andrea Anjeli vendosi të përfshihej në këtë operacion. Në Itali ka fituar shumë vëmendje. Nëse e sheh nga ana e Juventusi, ky nënshkrim ka sens. Futbolli italian kishte humbur shumë terren vitet e fundit. Me këtë marrëveshje të madhe, italianët shpresojnë të rifitojnë vëmendjen e botës së futbollit”, përfundon drejtori i përgjithshëm i Bajernit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *