Igli Tare vazhdon punën për përforcimin e kontingjentit të Inzagit, pavarësisht se drejtori sportiv ka theksuar dhe më parë se Lacio nuk do të ofrojë lojtarë në merkaton e janarit. Largime do të ketë, pasi grupi i lojtarëve është i madh.
Shqiptari ka folur për “Sky” nga Dubai, duke vlerësuar kalimin e Kristiano Ronaldos tek ekipi i Juventusit. Portugezi ka rritur vëmendjen ndaj kampionatit italian të futbollit. Tare ndalet dhe te arbitrat dhe teknologjia VAR. Lacio e tij e ka pësuar nga vendimet e VAR-it, ndërsa drejtori sportiv kërkon respekt.
Objektivi i ekipit është kualifikimi në Champions dhe arbitrat nuk duhet të bëhen palë në garën e fortë për një vend në kompeticionin e më të mirëve.
“Ardhja e Kristiano Ronaldos në Serie A ishte e rëndësishme dhe për çështjen e imazhit. Vëmendja ndaj kampionatit është rritur, ashtu si dhe niveli i kampionatit. Lacio? Duam të arrijmë objektivat tona, që janë shumë të rëndësishme për rritjen tonë si ekip. Kur flas për objektivat i referohem Champions Ligës. Po i sillemi rreth prej vitesh, ky mund të jetë sezoni i duhur, por gjithçka varet dhe nga faktorë të tjerë. Shpresoj që VAR-i dhe arbitrat mund të sjellin më shumë qetësi. Duhen respektuar rregullat dhe kjo vlen për të gjithë, pasi ka objektiva të mëdha në lojë. Duam të tregojmë respekt, por dhe të respektohemi. Merkato? Këto ditë kam takuar shumë kolegë dhe njerëz të rëndësishëm për situatën tonë. Do të bëjmë më shumë merkato në dalje, sesa në hyrje”, përfundon drejtori sportiv i Lacios.