Championsin dhe trofetë, “bomberi” Rexhinaldo i do të gjitha

0

Fizik i dobët, vetëm 172 centimetra i gjatë, imazhi jo i zakonshëm i një bomberi. Megjithatë, pamja e jashtme shpesh të gënjen dhe Rexhinaldo Faife i ka provuar të gjithëve të kundërtën gjatë dy viteve në Superiore. 8 gola me Luftëtarin në edicionin 2016-2017, plot 18 rrjeta me Laçin sezonin e kaluar. Përgjithësisht njihet si një karakter i vështirë, por tek e fundit çdo lojtar goli ka huqet e veta. Edhe pse në orët e para si lojtar i Kukësit dhe në intervistën për “Sport Ekspres” shfaqet i përulur dhe modest.

Vendose të mos luaje në Europë me Laçin, disa klube të kërkonin, por në fund zgjodhe Kukësin. Përse?
Dua të falenderoj Kukësin për ketë mundësi që t’i bashkohem skuadrës. Falenderoj edhe Laçin, por tani nis një sezon i ri dhe një etapë e re për mua. Kam shansin të bëhem pjesë një klubi të madh.

Në momentin kur klubi zyrtarizoi marrëveshjen, shumë njerëz prisnin ndoshta të luaje ndaj Karabakut. Do të jesh në fushë në takimin e kthimit në Baku?
Ndihem gati, por sapo jam bashkuar me ekipin në stërvitje. Do të punoj fort që të jem edhe unë në fushë.

Të gjithë presin shumë nga ju, sepse erdhe si qendër sulmuesi që i mungonte ekipit dhe si goleador, çfarë i premtoni Kukësit dhe tifozëve?
Jam këtu për të punuar me shokët e ekipit, për të dhënë më të mirën për ekipin. Jam sulmues dhe dëshira është që të shënoj në çdo ndeshje, edhe pse kjo është e pamundur. Por do të jap jetën në ndeshje. Kam ardhur për të shënuar gola, sepse kjo është detyra ime.

Te Laçi realizove 18 gola dhe ishte gjatë në garën e golashënuesve. Mund ti përmirësosh statistikat, edhe sepse në letër Kukësi duket një ekip më i fortë dhe që luan më tepër në sulm?
Sigurisht që sa herë luaj dëshiroj të shënoj sa më tepër dhe të përmirësohem.

Vitin e kaluar ishe pranë fitimit të Kupës me Laçin, por humbët finalen. Beson se ky është viti i duhur për të fituar një trofe në Shqipëri?
Arsyeja që erdha te Kukësi është pikërisht kjo. Kisha shumë oferta nga klube në vende të tjera, por zgjodha të vija këtu sepse do të luaj në një prej ekipeve më të rëndësishëm në Shqipëri. Interesi i Kukësit ishte shumë serioz, gjithashtu erdha të luaj në Champions. Është një hap i rëndësishëm në karrierën time.

Me këtë skuadër që ka Kukësi, mund t’u premtosh tifozëve titullin?
Nuk mund të bëj premtime të tilla, por mund të them që do të jap më të mirën për të realizuar objektivat e klubit. Kukësi ka lojtarë shumë cilësorë, mendoj se i kemi shanset që të fitojmë titullin kampion, apo edhe Kupën e Shqipërisë.

You might also like
Leave A Reply

Your email address will not be published.