Milani do të zbresë në fushë mesditën e nesërme, teksa do të sfidojë në transfertë Parmën. Një sfidë mjaft delikate për kuqezinjtë, të cilët kërkojnë me çdo kush të kapin një vend për Champions në sezonin e ardhshëm.
Në kuadër të ndeshjes ndaj Parmës, për mediat ka folur trajneri Gatuzo. Italiani ka prekur disa tema, teksa përveç sfidës së nesërme dhe luftës Champions, është pyetur edhe për gjendjen e Paketës si dhe për Andre Silvën, i cili është i huazuar te Sevija.
NDESHJA NDAJ PARMËS – “Parma është një ekip i vështirë dhe ndeshjen e fazës së parë e fituam me fat. Kanë lojtarë që mund të na hapin probleme dhe Tardini është një fushë që gjithmonë ka qenë e vështirë për Milanin. Pres që nesër të jetë e njëjta gjë. Është ndeshje shumë e rëndësishme për ne dhe duhet të japim më të mirën e mundshme. Jemi tërësisht të fokusuar në këtë ndeshje.”
PAKETA – “Lukas Paketa është në formë të mirë. Është stërvitur rregullisht dhe mund të luajë nesër. Romanjoli është rikuperuar dhe do të luajë titullar.”
ANDRE SILVA – “Andre Silva kërkoi të largohej, pasi kërkonte më shumë minuta. Gjithmonë e kam konsideruar si një lojtar të rëndësishëm për ne, duke u bazuar te karakteristikat e tij si dhe te mosha që ka.”
LUFTA PËR CHAMPIONS – “Kemi fituar vetëm pesë ndeshje në transfertë këtë sezon dhe ka pasur shumë sfida që i kemi pasur në dorë dhe duhet t’i fitonim me patjetër. Duhet të jemi vrasës në sulm. Parma nuk është se do të jetë vendimtare për fatet e Championsit. Lufta do të vijojë deri në javën e fundit.”
SUSO – “Suso gjithmonë ka punuar fort dhe ka luajtur mirë, duke dhënë maksimumin e tij. Ka karakteristika specifike, por mund të jetë koha për të provuar edhe diçka të re.”