Kritikat ndaj Ançelotit janë thjesht fillimi, sipas ekspertëve gjermanë, sulmuesi polak do të arrijë një trofe të rëndësishëm dhe s’është i sigurt te Bajerni
Robert Levandovski e ka thënë fjalën e tij. Edhe pse përmes agjentit ai është shprehur qartë. Sipas menaxherit të Levës, sulmuesi ishte i mërzitur sepse në ndeshjen e fundit, Ançeloti nuk e grumbulloi dhe ai mund të fitonte Këpucën e Artë të golshënuesit të Bundesligës, teksa kjo tregon se ai nuk ka patur mbështetjen e duhur te Bajerni. Por, sipas ekspertëve gjermanë, ky është vetëm një justifikim, pasi, Leva do të jetë në një skuadër të rëndësishme dhe serioze, por do edhe të fitojë trofe të rëndësishëm, si Champions League duke qenë se tashmë ai nuk është më një 20-vjeçar dhe nuk do të përfundojë si Ibrahimoviç vetëm me titull kampion.
KRITIKAT – “Robert ma ka shprehur mua zhgënjimin e tij. Nuk ka marrë përqasjen e nevojshme nga skuadra dhe trajneri Karlo Ançeloti, i cili nuk e ka grumbulluar fare në ndeshjen e fundit, në atë ndeshje, në të cilën ai do të mund të bëhej kryegolshënues. Është shumë i zhgënjyer”, kanë qenë fjalët e agjentit të sulmuesit, Maik Bartel për “Kicker”. Fjalë këto që kanë nxjerrë në pah edhe problemet e Bajernit. Një lojtar i pakënaqur që nuk mund të jetë i vetmi, teksa menjëherë në këtë periudhë merkatoje klubet e mëdha janë vënë në lëvizje për të parë se ç’do të ndodhë me Levën dhe me të ardhmen e tij. Reali i Madridit, por edhe Mançester Junajtid kanë nisur të parat të interesohen. Galaktikët po mendojnë zëvenësuesin e mundshëm të Bejlit, por edhe Ronaldos, teksa Murinjo për zëvendësimin e Ibrahimoviçit, tani që Morata është bllokuar nga Reali.
JUSTIFIKIMI – Dhe, sipas kritikëve dhe specialistëve gjermanë, duket se Levandovski ka shpërthyer pikërisht tani, në kohë merkatoje, pasi ai nuk ka shkuar te Bajerni vetëm për të fituar titullin kampion të Gjermanisë. Bajerni këtë sezon humbi Championsin (u eliminua nga Reali) dhe Kupën e Gjermanisë (u eliminua nga ish-skuadra e Levës, Dortmundi). Por, kur ai humbi edhe shansin për një trofe personal, atëherë e kuptoi se ndoshta duhet të ndryshojë ambient për të fituar diçka më shumë se brenda kufijve kombëtarë. Mosha kalon dhe nëse ai nuk lëviz tani për te ndonjë klub i madh, si Reali, apo Mançester Junajtid, atëherë nuk do të ketë shansin që ta bëjë në të ardhmen. Ndërkaq, nga Anglia ka zëra se edhe Çelsi po interesohet për polakun, sepse Diego Kosta do të largohet dhe Evertoni ka vendosur një çmim tepër të lartë për Romelu Lukakun.