Pas mbylljes së sezonit të kaluar, nga Besa u larguan disa titullarë si Çaço, Danaj, Albi Çekiçi, Mziu, Dikson e Mellugja. Edhe pse presidenti Bizhdili e trajneri Magani kanë deklaruar se nuk do të ketë më largime, sulmuesi 24-vjeçar, Alked Çelhaka, i cili në sezonin e kaluar luajti 21 ndeshje dhe shënoi 5 gola me fanelën e Besës, tashmë po mendon largimin.
Dy sezone më parë, Çelhaka luajti me Laçin e Tiranën dhe rikthimi i tij në Kavajë u bë me synim Superioren. “Unë nuk kam vendosur të lëviz në skuadra të tjera të Kategorisë së Parë, çdo lajm është spekulim. Te Besa erdha vetëm për synimin e ngjitjes në Superiore. Duke qenë se nuk u arrit, po mendoj të rikthehem në Superiore”, theksoi Çelhaka për SportEkspres.com.
Ndërsa për skuadrën e ardhshme, sulmuesi kavajas deklaron se shumë shpejt do vendosë: “Realisht kam ofertë nga dy skuadra të Kategorisë Superiore dhe besoj se në dhjetë ditët e para të muajit korrik do kem vendosur”. Në tetë vite karrierë, Alked Çelhaka e ka nisur në pesë sezone radhazi me Besën, për ta kaluar më pas te Laçi e Tirana.
AGRON KAJA