Çani shqetëson Partizanin, ndaj Lushnjës luan Sukaj

0

Sulmuesi do të shfrytëzojë ndërprerjen e kampionatit për të lënë pas shpatullave dëmtimin që po e mundon. Vizitë mjekësore në Itali, në fundjavë pritet të fitojë një fanellë titullari Sukaj

Nuk ka fund odiseja e Edgar Çanit, pasi problemet fizike po e pengojnë të shprehet në maksimum dhe duket se Partizani është nxituar që e ka aktivizuar në javët e shkuara. Në fakt, historia e Çanit dihet: në maj kreu një operacion delikat dhe i duheshin rreth 3 muaj për të rigjetur formën e plotë fizike dhe për të nisur stërvitjen me ritëm të lartë. Tani jemi në fund të shtatorit, por gjërat nuk kanë shkuar sipas parashikimeve dhe sulmuesi duhet të presë ende, për të gjetur formën optimale.

PROBLEMET – Starti i fazës përgatitore me vonesë, në mesin e gushtit, futi nën presion Partizanin, që duhej të arrinte formën optimale me urgjencë, me kampionatin në horizont. Çani u afrua si shpresa e madhe për të fituar titullin dhe duhej të zëvendësonte menjëherë një si Ekuban, i cili te Partizani ishte superstar për një sezon. Problemi është se Çanit ndoshta iu kërkua më shumë nga ç’mund të përballonte në atë kohë dhe herë pas here nuk stërvitej dot me ngarkesë të plotë. Edhe kur mediat, duke nisur nga “Sport Ekspres”, raportuan se sulmuesi kishte probleme fizike dhe duheshin disa javë para se të arrinte formën e plotë, sërish nga Partizani pati përgënjeshtrim, aq sa doli vetë Çani, i cili deklaroi se ishte shumë mirë dhe mediat shpifnin.

SFORCIMI – Ndaj Laçit Çani nuk luajti, çka hidhte poshtë gjithë pretendimet e Partizanit se lojtari ishte në formë perfekte. Në ndeshjen pasardhëse, me presion të madh mbi vete, Partizani e aktivizoi Çanin ndaj Kukësit, por pa e përfunduar ndeshjen. Luçiano Moxhi rrëfeu më vonë: “I bëra komplimente Çanit, sepse kishte vetëm 45 minuta në këmbë, por këmbënguli të vazhdonte dhe rezistoi 70 minuta, duke luajtur shumë mirë”. Pra, Çani nuk ishte në rregull fizikisht, edhe pse luajti rreth 65 minuta edhe në Korçë. Sa për kujtesë, kur në gusht “Sport Ekspres” botoi një shkrim ku thuhej se Çani nuk do të jetë në formën optimale para fundit të shtatorit, Partizani përgënjeshtroi, aq sa nxorri edhe sulmuesin  të deklaronte se ishte në formë shumë të mirë fizike. Me sa duket, nuk paska qenë ashtu.

Çani prish planet e Partizanit, mund të mungojë disa ndeshje

https://sportekspres.com/partizani-sqaron-cani-do-te-stervitet-i-diferencuar-shume-shpejt-gati/

 

PUSHIM ABSOLUT – Ndeshja kundër Lushnjës duket rasti ideal për ta lënë jashtë Çanin, i cili do të shkojë edhe në Itali për kontrolle, në klinikën ku është operuar. Ndërprerja e kampionatit për ndeshjet e kombëtares është një lajm i mirë, sepse Çani do të ketë kohë të pushojë dhe të stërvitet me ritëm të ulët. Shpresa është që sulmuesi të mos ketë asnjë problem të ri dhe të paktën nga mesi i tetorit e tutje të nisë të stërvitet dhe të aktivizohet me ritëm të lartë.

SUKAJ – Luajti kundër Laçit, goditi traversën dhe nuk pati fat të gjente golin. Tani Xhevahir Sukaj duket se do të rimarrë vendin në formacion, duke parë edhe problemet e Çanit. Shkodrani është në formë, po stërvitet mirë dhe kërkon hapësirë. Shansi për të treguar sa vlen do t’i vijë që të hënën, ndaj Lushnjës. Më tutje, të shohim…

You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.