Saul Canelo Alvares e tregoi se është i aftë të jetë kampion edhe në peshat super të mesme. Meksikani mundi anglezin Rocky Fielding dhe mori për herë të parë një titull kampion në eksperiencën e tij të parë në këtë divizion peshe.
Por, të gjithë fansat po presin që Canelo të ndeshet përsëri me boksierin kazak Genadi Golovkin, me të cilin u ndesh dy herë dhe pas barazimit në duelin e parë, arriti të dilte fitimtar në përballjen e dytë, duke i marrë të tre brezat e kazakut. Golovkin kërkon një shans për t’u hakmarrë dhe tani vendimi i takon palës së meksikanit.
Canelo është shprehur i gatshëm për t’u ndeshur sërish me boksierin kazak, në një intervistë për “DAZN”, ai tha: Mendoj se rivaliteti unë mbaroj në duelin e 15 shtatorit, ku unë tregova se përse jam më i miri. Por, ishin dy duele shumë të bukura, kjo nuk mund të vihet në diskutim dhe nëse fansat duan të na shikojnë përsëri, ne mund të përballemi sërish.
Promotori i Canelos dhe ish-boksieri legjendar, Ocar De La Hoya, dha mendimin tij për këtë përballje të mundshme.
“Mendoj se nëse ata ndeshen për të tretën herë do të shohim një nokaut. Ata e dinë stilin e njëri-tjetrit. Në duelin e parë Golovkin u tregua më agresiv dhe shumë njerëz mendojnë se ai duhet ta kishte fituar atë përballje. Por, mendoj se në ndryshim nga dy duelet e mëparshme, nuk do të jetë nevoja që gjyqtarët të vendosin, pasi njëri prej tyre do të nxjerrë me nokaut kundërshtarin”, tha De La Hoya në intervistën në emisionin “First Take”.