Lorik Cana nuk është më pjesë e kombëtares, por është gjithnjë interesant mendimi i tij për kombëtaren, sidomos në momente delikate si ai aktuali, me humbjen ndaj Luksemburgut, që ishte e pesta rresht dhe ul ndjeshëm moralit para sfidës në Izrael.
“Skuadra ka një ndeshje të dielën dhe është e rëndësishme të jetë mirë atje. Lojtarët e dinë shumë mirë çfarë duhet të bëjnë. Jemi një skuadër që përsa i takon potencialit jemi në të njëjtin nivel me Izraelin apo edhe ndoshta më mirë. Duhet edhe pak fat. Nuk duhet të harrojmë që çdo ndeshje, çdo pikë, çdo fotore është e rëndësishme. Pavarësisht nëse kualifikohemi, pozicionohemi të dytët apo të tretët nuk ka rëndësi… E rëndësishme është që të bëjnë më të mirën dhe kam shumë besim te lojtarët të dielën.
“Çfarë duhet të bëjë skuadra të rigjejë frymën përpara Europianit, atë që ka humbur gjatë këtyre kualifikueseve dhe u shoqërua me humbjen në Luksemburg? Duhet të vijnë gjeneratat e reja. Pikërisht atë kemi nisur të bëjmë me programin e fondacionit, në mënyrë që jo vetëm të bëhen sportistë, por njerëz të mirë për shoqërinë tonë. Patjetër i ndjekim të gjitha ndeshjet e përfaqësueses, madje kur fola me fëmijët edhe ata e kishin ndjekur. Nisën të këndonin kuqezi dhe janë vetëm 4 vjeç”.
Ish-kapiteni jep mendimin e vet edhe për të ardhmen e trajnerit Xhani De Biazi: “Këto janë gjëra që duhet të vlerësohen nga personat, nga institucionet dhe nga vetë i pari trajneri. Nëse ai ka dëshirë të vazhdojë, trajneri është një person që ka dhënë shumë dhe ka mundësi të japë ende edhe shumë. Është në dorën e tij. Por, nëse ka dëshirë dhe e ndjen që duhet të bëjë eksperienca të tjera, atëherë vetëm duhet falënderuar, ti heqim kapelën dhe të ecim përpara”.