Shtangisti shqiptar Briken Calja garoi sot në Botërorin e peshëngritjes në Turkmenistan. 28-vjeçari nuk ka shkuar më shumë se vendi i gjashtë, kjo dhe për shkak të një dëmtimi që sportisti nga Shtërmeni pësoi gjatë ngritjes së shtangës në stilin e shkëputjes.
Në herën e tij të parë në stilin e shkëputjes, Calja ngriti me lehtësi 148 kilogram, ndërsa në të dytën ngriti dhe pesë kilogramë më shumë, por më pas shtangisti shfaqi qartazi shenja dëmtimi në lëvizje. Në provën e tretë 28-vjeçari tentoi të ngrinte 157 kilogramë, por pa sukses.
Ndërkohë, në stilin e shtytjes, provën e parë Calja ngriti shtangën prej 181 kilogramësh, duke ndezur garën. Në provën e dytë, Calja ngriti 4 kilogram më shumë, ndërsa në provën e tretë dhe atë decizive, peshëngritësi kuqezi tentoi 189 kilogram, provë në të cilën dështoi për ta kryer me sukses.
Fitues i medaljes së artë u shpall kinezi Shi Zhijong, i cili regjistroi peshën më të lartë në të dyja stilet, 164 kg në shkëputje dhe 196 kg në shtytje.
https://www.youtube.com/watch?v=55Qhn-WiSyQ