Bylisi kalon Pogradecin dhe shënjestron kreun

Nga: Edi Spahiu

Bylisi vazhdon serinë e fitoreve dhe është i pandalshëm ndaj kundërshtarëve me cilësi dhe pretendentë në këtë kampionat, ku pas fitores së një jave më parë në transfertën e Lushnjës  ka ardhur edhe fitorja e radhës ndaj Pogradecit në shtëpi, në një ndeshje ku me gjithë mungesat e rëndësishme sërish fitorja ka ardhur me meritë, dhe tashmë Bylis është ngjitur në vendin e dytë duke u vënë në ndjekje të kryesuesve të Besës.

Pjesa e parë duhet theksuar se ka qenë e një niveli më të lartë se sa pjesa e dytë, dhe vendasit e kanë nisur lojën me një presing në të gjithë fushën duke i imponuat liqenorëve lojën e tyre gjithë presing, por edhe me një shpejtësi të lartë dhe profil sulmues në mënyrë të veçantë nga krahët. Kronika e rasteve është e mbushur me raste të pafundme, edhe pse nga ana e sulmuesve vendas janë shpërdoruar raste pa fund, ndonëse loja e sulmuesit Barjamaj në mënyrë të veçantë e mbështetur nga kapiteni Peposhi dhe Zefi me Beji dhe Kofi kanë bërë që të gjithë të vlerësojnë lojën e bukur të Bylisit. Në minutën e 36-të skuadra ballshiote ka arritur të zhbllokojë rezultatin pas golit të Beji Anthony dhe ishte një gol mëse i merituar.

Edhe në pjesën e dytë vendasit e nisin sërish në sulm dhe epërsia territoriale është e dukshme, por skuadra shpërdoron në disa raste që krijon në portën e Malit dhe skuadra e teknikut Dovedan ka rënë paksa fizikisht dhe kjo u jep krahë sulmuesve miq.

Në fundin e takimit ka situata shumë emocionuese dhe pas zëvendësimeve të kryera janë miqtë ata që i afrohen golit, por Topllari, Shkullaku dhe Pura nuk arrijnë të barazojnë, edhe për meritë të portierit me eksperiencë Mario Bytyçi, që ka mbrojtur në fitoren vendase, duke e mbajtur të paprekur portën e tij.

BYLIS – POGRADECI         1-0 

Shënues. Beji 36′ Nga Edi Spahiu

Bylis: Bytyci, Ntepe (Mahmuti 85′)  Cela . S (Hyska 68′), Shyti (Tushi 62′), Kullira, Smanda, Zefi, Peposhi, Beji, Barjami, Kofi. Tr. V. Dovedan.

Pogradeci: Mali, Lame, Pere, Hysenllari, Pura, Shkullaku, Berberi, Jahaj (Alillari 66′) Osmanllari, Topllari, (Andi Çela 77′) Ivani (Alimadhi 85′) Tr. F. Fetollari

Kartonë të verdhë: Ntepe 75′ / Hysenllari 42′

Gjyqtarë: O.Kuka, R. Shaba, B. Mesi (Tiranë)

 

Pas ndeshjes

V.Dovedan (Bylis): Më kënaq shumë fitorja sepse ishte edhe objektivi ynë i vetëm në këtë takim. Më vjen keq që skuadra ndryshe nga pjesa e parë ka lëshuar shumë në pjesën e dytë, ku kemi rrezikuar jo pak në fund të takimit duke i dhuruar shumë hapësira kundërshtarit, por që fitoren e kemi merituar dhe pse e mbrojtëm me shumë vështirësi. Jemi në rrugën e duhur dhe pse me mungesa të rëndësishme, por objektivi ynë mbetet vazhdimësia e fitoreve dhe të kapim qysh javën e ardhshme vendin e parë.

F.Fetollari (Pogradeci): Kemi luajtur si të barabartë me Bylisin duke mos u ndikuar aspak nga faktori fushë kundërshtare. Faktikisht kishim zgjedhur të kundërsulmonim dhe rastet nuk kanë munguar, madje kemi qënë shumë pranë barazimit në fund të takimit, dhe besoja shumë se do ta meritonim një barazim, por futbollistët e mi krahas përgëzimit duhet të analizojnë edhe gabimet që na mbajtën larg golit dhe rezultatit pozitiv që na u afrua si mundësi në fund të takimit kur kundërshtari ynë ra fizikisht.

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *