Tomislav Bushiç firmosi sot me Teutën dhe kërkon të bëjë mirë me durrsakët në pjesën e dytë të sezonit. Kroati duhet të udhëheqë sulmin e skuadrës së Shkëmbit, ndërkohë që ka thënë edhe fjalët e para pas transferimit.
“Jam shumë i kënaqur që erdha këtu në Durrës. Tani do të përqëndrohem për të dhënë gjithçka që kam si futbollit për këtë fanellë. Në Vlorë ishte një situatë shumë e vështirë. Dje u takova me presidentin, si xhentëlmen u dhamë duart njeri-tjetrit dhe mbaruam punë”, tha për Supersport Bushiç.
Sulmuesi mund të aktivizohet që nesër, pikërisht ndaj Flamurtarit. “Jam gati, normalisht. Jam profesionist, të shikojmë nesër. Kam shanse që të luaj, për mua nuk asnjë problem. Tani jam me Teutën dhe normal që mendoj se fiton Teuta”, përfundoi kroati.
Renato Arapi është peng i “OK” – it të federatës turke, ndërkohë që tregon se Teutën e zgjodhi me zemër. “Ndihem mirë për faktin se jam në shtëpinë time, por akoma s’ka mbaruar çdo gjë. Presim lejekalimin nga Federata Turke, atëherë do të mbyllet gjithçka”, tha mbrojtësi durrsak.
Më tej shtoi: “Të them të drejtën vendosi zemra, por edhe ekipi që këmbënguli më shumë nga ekipet e tjera ishte ekipi i Durrësit. Kështu që s’kisha si ta refuzoja”.
OBJEKTIVI – “Realisht Teuta e ka kapacitetin për të shkuar lart. Përveç lojtarëve që kanë fituar trofe e kanë eksperiencë, kemi lojtarë të rinj që janë shumë të talentuar. Atyre do u duhet edhe pak kohë për të treguar realisht vlerat që kanë. E lehtë nuk do të jetë, duke parë edhe ecurinë e Partizanit. Shpresoj që të bëjmë më të mirën e ekipi të vazhdojë me të njëjtat hapa, siç edhe e mbylli vitin që kaloi”.