Barazim 2-2 me Turqinë në kualifikueset e Europianit, ndërsa dje në miqësoren me Uellsin kuqezinjtë triumfuan 2-1. Trajneri Alban Bushi, në deklaratën e dhënë për mediat, u shpreh i kënaqur me atë që paraqiti skuadra e tij. Ndryshimet ishin të shumta dhe vetë kreu i pankinës kuqezi e pranon se nuk prisnin ndonjë lojë kushedi.
MIQËSORJA – “Të them të drejtën jam i kënaqur, pasi ishin lojtarë që nuk i kemi parë ndonjëherë. Pothuajse katër lojtarë luanin për herë të parë tek ekipi U21. Ishin shumë të vegjël, janë për të luajtur tek ekipi U19. Dy nga ata i morëm dhe nuk e dija si do të reagonin. E kisha me shumë emocion ndeshjen, prandaj kishim vendosur të qëndronim mbrapa dhe të luanim me kundërsulm. Një ekip që nuk është i stërvitur, nuk ka një strategji loje, është e vështirë të bëjë një lojë të veten.
Jam i kënaqur me zbatimin e detyrave nga të gjithë lojtarë. Mundëm një kundërshtar të fortë, pasi Uellsi është një kundërshtar i fortë, ka dy fitore me Zvicrën dhe Rusinë. Mendoj se kemi grup të mirë për të ardhmen. Kemi shumë mungesa dhe ky është ekipi i tretë i yni. Këta e justifikuan veten dhe është një luks për. Këto miqësore na bëjnë mirë për të përgatitur ndeshjen ndaj Austrisë, në mënyrë që të marrim lojtarët më të mirë”, u shpreh Bushi.
BROJA – Në takimin me Uellsin, sulmuesi Armand Broja ishte autor i dy golave për Shqipërinë dhe Bushi ka fjalë të mira për sulmuesin e Çelsit. “Diskutojmë gjithmonë me stafin teknik dhe të gjithë kemi mendim pozitiv për Brojën, është një lojtar i perspektivës. Mendoj se do të bëhet lojtar i madh, ashtu siç janë edhe Bullari e Vrioni.
Janë të rinj që mund t’i ketë kombëtarja për shumë vite. Broja u fut nuk kishe asnjë diferencë në lojë, edhe pse është 3 vite më i vogël. U përshtatet edhe atyre, pasi është një lojë që e bën në Britani me Çelsin. E justifikoi veten. Edhe po të mos shënonte gola, ai për ne është Broja dhe e dimë që ka potencial për ekipin A”, përfundoi Bushi.