Bufon: Nuk patëm fat, ky Real di t’i fitojë ndeshje të tilla

“Fitoj Champions League dhe lë futbollin i qetë”. Kështu deklaronte para pak kohësh Xhixhi Bufon, një legjendë e vërtetë e futbollit italian dhe atij botëror. Rrallë, në mos kurrë, një portier është bërë simbol dhe pikë referimi për një skuadër me forcën dhe klasin e Juventusit. Megjithatë, Bufon ka qenë fenomen, ka qenë një “Bethoven” i portës. Portieri i Juves ka fituar gjithçka në Itali, ka dalë edhe kampion bote me Italinë, por fiksimi i madh i tij, ai që e bën të mos tërhiqet nga futbolli i luajtur, i është larguar sërish. Ishte pranë, shumë pranë, sepse eliminoi Barcelonën dhe nuk është pak, por Juventusi e paska tersin sa një mal, sepse ka humbur 7 finale në Champions League.

Në fakt, kundër Realit është një mision i pamundur këto kohëra, sepse Los Blancos po dominojnë botën, por Bufoni shpresonte, pasi fundja një Juventus kaq të fortë nuk e shihnim prej një dekade, kur ra perandoria e ngritur nga Luçiano Moxhi. Vetëm 3 gola të pësuar në 12 ndeshjet e këtij edicioni në Champions League, 4 të pësuar brenda një nate nga Reali. 2 gola të pësuar nga Ronaldo: duhet një gjeni për të mposhtur një gjeni, një ngushëllim i vogël për Xhixhin e pafat. Do ta tentojë sërish, me siguri, pasi Bufon është një luftëtar. Ndoshta do të vuajë disa ditë e do të mendojë tërheqjen, por tifozët e duan në fushë, si kapiten të vërtetë, ndërsa ai vetë do ta provojë, pafundësisht, derisa t’ia dalë mbanë. Ka luajtur me futbollistë të lindur në vitet ’50, ndaj nuk e ka problem të luajë edhe me çunakë të lindur në vitet 2000, sepse herët a vonë rrota e fatit do të kthejë dhe nuk do të ketë gjithnjë përballë Mesin e Kristianon.

Thuajse i përlotur, Bufon deklaroi pas finales së humbur ndaj Realit: ‘“Është një zhgënjim i madh, sepse mendonim se kishim bërë gjithçka për ta fituar këtë Champions. Mendoj se luajtëm një pjesë të parë të madhe, e dominuam ndeshjen dhe e vendosëm në vështirësi të mëdha Realin. Më mbeten peng vetëm episodet ku çdo gjë na shkoi keq, por është e vërtetë që për të fituar trofeun duhet të jesh i fortë e të kalosh çdo pengesë.

“E kishim përgatitur mirë ndeshjen, nuk i dhamë asnjë avantazh Realit: vrapuam shumë, por nuk u treguam konkretë të sa duhej. Në pjesën e dytë klasi, forca dhe qëndrueshmëria e tyre rezultoi vendimtare, ata dinë t’i fitojnë ndeshje të tilla. Është normale që të kemi ndonjë peng, sepse pati shumë episode ku nuk patëm fat”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *