Xhanluixhi Bufon është një legjendë e gjallë e futbollit. Portieri i PSG mbush 41 vjeç me datë 28 janar, ndërsa për herë të parë debutoi me Parmën në vitin e largët 1995. Ishte vetëm 17 vjeç dhe zhvillonte një ndeshje të madhe kundër Milanit.
Adoleshenti nuk e lëshoi më postin e titullarit dhe historia e Xhixhit të vogël dihet nga të gjithë se si shkoi. Gardiani i portës ka dhënë një prononcim interesant për “Eurosport”, duke u ndalur te përballja me djemtë e shokëve të tij si Enriko Kieza dhe Lilian Turam.
Bufon ka luajtur dhe fituar me të dy te Parma, ndërsa me francezin vazhdoi të luante me Juventusin. Italiani tregon emocionet e provuara kur u përball me Federiko Kiezën, yllin e Fiorentinës, aty ku mendoi realisht t’i jepte fund karrierës së tij.
“Kam luajtur kundër Federiko Kiezës dhe djemve të Turamit: Markus dhe Kefren. Ata janë fëmijët e djemve dhe shokëve, të cilët i kam dashur shumë dhe vazhdoj të jem i lidhur me ta. Përballja me ta ishte një dhuratë e jetës, por më duhet ta pranoj se kur u përballa për herë të parë mbeta i hutuar. Nuk kisha luajtur kurrë më parë me ndonjë fëmijë të shokëve të mi, derisa luajta kundër Federikos. Ndodhi përpara dy vitesh dhe në atë moment mendova se ndoshta duhej të tërhiqesha”, tregon Xhixhi Bufon.