Dejvi Bregu është prej pak muajsh në Korçë, por është ambientuar në mënyrë fantastike dhe është kthyer në një ndër liderët e ekipit kampion në fuqi.
Futboll i bukur, gola e asiste dhe gjeste teknike të klasit të lartë, që kanë ndihmuar jo pak Skënderbeun të qëndrojë në majat e Superiores dhe kanë bindur tifozët në Korçë se largimi i disa titullarëve nuk e dobëson ekipin e tyre.
Sot Bregu ka festuar 23-vjetorin e lindjes dhe për faqen zyrtare të Skënderbeut ka lëshuar një deklaratë të shkurtër, duke shpjeguar edhe domethënien e numrit 23 në fanellë, që nuk lidhet vetëm me ditën e lindjes: “Në 23 kam ditëlindjen dhe natyrisht numri në fanellë lidhet edhe me të, por e mbaj edhe për faktin se është edhe data e lindjes së babait tim. Ai është me origjinë nga Korça dhe kjo është arsyeja e vërtetë. Mamanë e kam vlonjate dhe babain e kam korçar, jam shumë krenar. Nuk mund ta them nga cili anoj, por kam pak nga të dyja”.