Leonardo Bonuçi është rikthyer në formë të mirë dhe po e shijon rikthimin tek ekipi i Juventus. Nëse gjërat në kampin bardhezi shkojnë vaj, ndryshon situata te kombëtarja italiane. Mbrojtësi ka folur para ndeshjes të së dielës kundër Polonisë, tepër e rëndësishme për ecurinë e Italisë në Nations League, por mbi të gjitha për moralin e skuadrës.
Mbrojtësi komenton dhe situatën e shokut të tij të skuadrës, Kristiano Ronaldos, i cili po përjeton një situatë delikate pas akuzave për përdhunim nga Amerika, ndërsa e mbyll me një koment me derbin e Milanos. Lojtari shpreson që të fitojnë kuqezinjtë, ekip me të cilin u aktivizua në sezonin e kaluar.
POLONIA – “Është një ndeshje shumë e rëndësishme, të cilën duhet ta fitojmë. Mua më pëlqen Nation League dhe nuk jam dakord me Klopin. Është një kompeticion që të lejon të luash për tre pikët, duke të dhënë stimuj të rëndësishëm. Shpresoj që dhe tifozët të mendojnë kështu, sepse është gjithmonë bukur të shohësh stadiumin plot.“
MENTALITETI – “Humbja ose barazimi më acaron. Një tjetër problem është pësimi i golit. Duhet të përpiqemi të jemi të ekuilibruar dhe ta mbajmë përqendrimin e lartë. Na duhet më cinizëm përpara në sulm. Kur arrihet në 20 metrat e fundit, duhet t’iu bëjmë keq kundërshtarëve dhe të mos kënaqemi me faktin që arritëm deri aty. Të mërkurën luajtëm bukur, por nuk ishim cinikë. Megjithatë, po bëjmë hapa pra dhe po përmirësohemi. Mendoj se trajneri do të luajë përsëri me tre sulmues të lëvizshëm përpara.”
SITUATA – “Vitin e kaluar ishim në pikën zero, por asgjë nuk ka ndryshuar. Ndoshta gjërat janë përkeqësuar. Shpresoj që me zgjedhjen e presidentit të ri të Federatës, gjërat të fillojnë e të marrin për mbarë. Nevojitet një reformë e qartë, që do të përmirësojë futbollin italian. Kemi nevojë për rregulla të ashpra dhe të mirëpërcaktuara. T’iu jap një shembull. Viterbeze, ekipi i qytetit tim, nuk ka luajtur akoma një ndeshje dhe jemi në tetor. Kjo nuk është normale. Duhet një reformë e rëndësishme.”
CR7 – “E kam parë të qetë gjatë javës, por nuk më takon mua të komentoj dhe gjykoj ngjarje personale. Flas për futbollistin dhe ju them që është një vlerë e shtuar për ekipin tonë, si në fushë dhe jashtë saj. Është emocionuese dhe ekzaltuese të shohësh pesë herë fituesin e ‘Topit të Artë’ të stërvitet me ligësinë e atij që sapo ka ardhur në ekip. Nuk heq dorë kurrë dhe i frymëzon të gjithë për të bërë të njëjtën gjë.”
DERBI I MILANOS – “Shpresoj të zhvillohet një ndeshje e madhe. Jam një dopjo ish, por zgjedh Milanin. Kam lënë shumë shokë dhe një trajner të madh te kuqezinjtë.”