Bolonja do të ndeshet sot me Milanin, me fillim nga ora 20:30. Ndeshje kjo, shumë e rëndësishme për të dyja ekipet, por edhe për Gatuzon dhe Inzagin. Këta të fundit, nuk po përmbushin pritshmëritë e klubeve respektive dhe janë vënë në “shënjestër” nga drejtuesit për t’u shkarkuar.
Natyrisht, ata janë trajnerë të dy ekipeve të ndryshme, por pas ndeshjes njëri mund të shkarkohet. Inzagi dhe Bolonja e tij, ndodhen në “ujërat” e fundit të tabelës dhe drejtuesit nuk mund të pajtohen me të. Nëse Bolonja lufton për mbijetesë, te Milan “lufta” është më e madhe, pasi ekipi kuqezi dëshiron kualifikimin në Champions.
Milan nuk e ka “luksin” të qëndrojë edhe një sezon tjetër pa Champions dhe Gatuzo e di shumë mirë. Eleminimi nga Europa Ligë ka bindur drejtorin sportiv, Leonardo se trajneri aktual nuk e ka të gjatë qëndrimin.
Ndeshja e sotme është “treni i fundit” i Gatuzos dhe Inzagit. Kush do ia dalë të bind drejtuesit, mbetet të shihet.