Boka Zhuniors ka fituar titullin kampion për sezonin 2016/17 në Argjentinë, pa luajtur ende këtë mesjavë. Kjo për faktin se Banfildi ndjekës u ndal mbrëmë në fushën e San Lorencos.
Është titulli i 32-të kampion për Bokan, një ndër klubet më të mëdhenj në botë, sepse ka fituar edhe 22 tituj ndërkombëtarë.
Arkitekt i suksesit të radhës është një emër i njohur i futbollit argjentinas, Gijlermo Barros Skeloto, i cili po shkëlqen edhe si trajner. Yjet e skuadrës: Peruci e Verhini në mbrojtje, Fernando Gago e Bentankur, Pavon, Senturion dhe sidomos Benedetto në sulm, ky i fundit me 18 gola kryeson listën e shënuesve.
Një ecuri triumfuese për Bokan, gjithnjë në krye dhe me 59 pikë në 28 ndeshje, me 58 gola të shënuar e 22 të pësuar, më mirë se çdo ekip tjetër në Primera.
Si zakonisht, derbi i madh me Riverin nuk merr fund kurrë as te beteja se kush ka më shumë trofe: Boka tani kryeson 62-61 me trofe totalë në histori, por Riveri ngre zërin dhe i konsideron trofetë para vitit 1931 si të parregullt. Ishte viti kur futbolli kaloi në profesionizëm dhe futbollistët në Argjentinë nisën të paguhen, ndaj numri i trofeve filloi nga viti 1931.
Me të drejtë, në diskutimet mes tifozëve, dikush thotë: “Ah, ai titull i vitit 1925 nuk vlen. Shiko, as fanellat nuk i kanë njësoj lojtarët e së njëjtës skuadër”. Futboll pë qejf, pra, pa rregulla e norma, deri në vitin 1931, ndaj edhe River ankohet, sepse në epokën e futbollit profesionist është superior, 58-52 me trofe ndaj Bokës.
Gjithsesi, nëse llogariten vetëm trofetë ndërkombëtarë, Boka është superiore, por River nuk lëviz nga istikami: duke llogaritur ligat profesioniste dhe kupat ndërkombëtare, River kryeson 38-35.
Si i bëhet? Një kaos i vërtetë, tipik për Argjentinën, ndaj varet cilin klub keni qejf!