Erjon Bogdani bëhet gati për debutimin në një ndeshje zyrtare në stolin e Shqipërisë U-19, me ndeshjen e parë kualifikuese për Kampionatin Europian nesër në orën 14.00, në “Selman Stërmasi” kundër Ukrainës së fortë, ndërsa më pas e kanë radhën Mali i Zi dhe Norvegjia.
Rivalë të fortë, por Bogdani nuk u druhet: “Nuk i kemi frikë. Luajmë në Tiranë, publiku do të na mbështetë. Nuk dua t’i ngarkoj çunat, duhet të luajmë pa frikë dhe pa presion për rezultat. Kam studiuar Ukrainën. Kanë marrë pjesë në Kampionatin Europian. Janë ekipe të forta ne kemi ambiciet tona. Nëse japim maksimumin, do të arrimë rezultat të mirë. Ne do të luajmë me sistemin 4-3-3 kur kemi topin, besoj se do ju krijojmë vështirësi kundërshtarëve”.
Për Bogdanin, synim kryesor është zbulimi i talenteve: “Objektivi im si trajner është që të sjell sa më shumë lojtarë në kombëtaren U-19. Kemi zhvilluar dy ndeshje shumë të mira me Gjeorgjinë. Djemtë duhet të jenë të qetë pasi nesër do të mundohemi që të japim më të mirën tonë. Besoj se në këto tre ndeshje do të paraqitemi shumë mirë. Afrimet? Për një vit kam parë 70 futbollistë, sigurisht ka shumë që s’i kam parë ende. Detyra ime është t’i shoh të gjithë dhe të afrojë më të mirët. Dua të bëj sa më mirë për këtë ekip. Dera e Kombëtares është e hapur për të gjithë”, tha Bogdani.
Në fund, një batutë për Kombëtaren A, ku Bogdani nuk e sheh veten ende: ‘Tani për tani nuk e kam menduar akoma, thjesht shpresoj që të bëj sa më mirë me U-19. Jam krenar që jam në krye të kësaj kombëtareje”.