Ndodh që besimi tek skuadra jote është aq i madh, sa ti të marrësh biletat para se të jetë arritur finalja. Megjithatë nuk e shohim shpesh, të paktën nga individë, që ato bileta të dhurohen tek të tjerë tifozë që nuk kanë mundësi ta kenë një të tillë. Kështu ka ndodhur me disa tifozë të Ajntrahtit të Frankfurtit.
Pas eliminimit me penallti nga Çelsi, Ajntrahti e ka humbur mundësinë të udhëtojë në Baku për të luajtur finalen e Europa League. Sigurisht tifozët nuk dëshirojnë të shohin një ndeshje, në të cilën nuk luajnë yjet e tyre, kështu që biletat u kanë mbetur në dorë. Por gjithmonë egziston një zgjidhje dhe ultrasit e ekipit gjerman kanë gjetur atë më humane të mundshme.
Sipas mediave gjermane, 100 tifozë do i dhurojnë biletat e tyre për fëmijët, që nuk kanë mundësi financiare për të shkuar në finale dhe për të parë nga afër yje si Hazard, Obamejang apo Kante. Këtë herë mbështetësit e klubit gjerman dëshmojnë se nuk janë vetëm tifozë të mrekullueshëm, por edhe njerëz të mëdhenj.