Biznesmenët e interesuar për Vllazninë, klubi: Ka shumë të pavërteta

As po e as jo, por vetëm një korrigjim: kështu mund të interpretohet deklarata e sotme e Vllazninë, që ka reaguar me lajmin e publikuar dje në “Sport Ekspres”, në lidhje me interesimin e një grupi biznesmenësh që kanë kontaktuar bashkinë për të investuar në klubin shkodran dhe për ta cuar drejt procesit të privatizimit.

Almiro Gurakuqi,Tedi Mula dhe James Doshi janë personat e përfshirë në këtë histori dhe gazeta ka mësuar se kontaktet me bashkinë janë reale, aq sa grupi i biznesmenëve ka kërkuar edhe listën e detajuar të borxheve të klubit, që ka edhe një çmim zyrtar.

Ndërkaq, klubi shkodran ka reaguar, jo duke konfirmuar apo përgënjeshtruar lajmin, por duke korrigjuar një pjesë të botuar në gazetë: “Almiro Gurakuqi është doktor i nderuar, ndërsa ka ndihmuar ekonomikisht Vllazninë B të bënte mrekullinë e ngjitjes në Kategorinë e Parë, duke kontribuuar në bazë materiale dhe transport”. Kjo fjali ka irrituar drejtuesit e Vllaznisë, që e konsiderojnë përbaltje një fjali të tillë, që në fakt nuk ka asnjë qëllim të tillë, sepse nuk pretendohet se Vllaznia ka braktisur skuadrën. Nëse ndonjë biznesmen dashamirës ka ndihmuar, kjo nuk ka pse të përbëjë shqetësim për klubin, ndërsa nëse Gurakuqi nuk ka kontribuuar realisht, sërish nuk duhet interpretuar si sulm ndaj Vllaznisë lajmi i raportuar, pasi fundja faturat përkatëse i ka klubi dhe nuk po i bëhet ndonjë gjyq publik.

Ja reagimi i plotë i publikuar në faqen e Vllaznisë në Facebook: “Një ditë më parë ka qarkulluar një lajm për gjoja biznesmenë të interesuar për Vllazninë. Por ndër të tjera në këtë lajm ka shumë të pavërteta. Ajo më e madhja ka të bëjmë me financimet që njëri nga këto donatorë paska bërë për ekipin B të klubit tonë gjatë këtij sezoni, në dhënien e shpërblimeve, mbulimin e transportit apo blerjen e bazës materiale. Kjo rezulton të jetë plotësisht e pavërtetë sepse futbollistët e ekipit B janë me kontrata dhe ato paguhen nga klubi. Të gjitha shpenzimet e transportit janë bërë me paratë e klubit dhe kjo është lehtësisht e verifikueshme nga faturat përkatëse. Po ashtu edhe baza materiale e këtij ekipi është mbuluar nga klubi. Në këto kushte, na rezulton që lajme të tilla janë tërësisht të pavërteta dhe bëhen me interesa të caktuara nga njerëz dhe prandaj nuk është gjë e mirë që të përbaltet investimi i bërë nga klubi për këtë ekip dhe po ashtu edhe puna e bërë nga stafi dhe futbollistët e tij për gjatë një sezoni shumë të suksesshëm që ata kanë mbyllur”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *