Shqipëria U-20 luajti ditën e sotme një test miqësor me skuadrën e Partizanit B, ndeshje, që përfundoi me fitoren e pastër të kuqezinjve, me shifrat 3-0. Pas sfidës, tekniku i kombëtares U-20, Ilir Biturku foli për sajtin zyrtar të federatës së futbollit.
“Kombëtarja U-20 e Shqipërisë është një skuadër që rrjedh nga kombëtarja U-19. Kemi marrë për bazë pjesën më të mirë të lojtarëve që kanë qenë në këtë kontingjent, por njëkohësisht kemi edhe lojtarë që janë seleksionuar prej këtyre ndeshjeve miqësore.
Kemi një grup prej 30 lojtarësh dhe mendoj se është një risi, sepse është një hallkë e mbushur e një zinxhiri që ka qenë i shkëputur nga U-19. Ne kemi këtë mundësi për të mbajtur sportistët të bonifikuar dhe të gjithë si skuadër janë të gatshëm të kalojnë te Shpresat.
Jemi shumë të kënaqur si staf me lojtarët që kemi, pasi në Superligë dhe në Kategorinë e Parë ka shumë lojtarë cilësore. Një rezyme të përgjithshme do të japim pas grumbullimit në muajin mars. Vetëm atëherë do të kuptojmë se kush do të jetë Kombëtarja U-20 A.
Do të ketë dhe një kombëtare U-20 B, ku do t’iu jepet mundësia shumë lojtarëve. Mustedaganiç ka krijuar një staf specialistësh që gjejnë shumë talente dhe unë personalisht jam i bindur se futbolli shqiptar ka shumë talente”,- u shpreh Biturku