Kristof Piatek është një nga sulmuesit më të mirë të Serie A. Ashtu si në të kaluarin, edhe këtë sezon do të ketë një kundërshtar si Kristiano Ronaldo. Polaku në një intervistë shprehet se ylli i Juventusit është i preferuari i tij, së bashku me Henri. Bomberi i “djallit” deklaron se ka ardhur në këtë jetë për të dërguar topin në rrjetë.
“Jam shumë i lumtur që kam shënuar shumë gola në Serie A. Gjithmonë kam besuar te vetja. Kam lindur për të shënuar gola dhe e di se Serie A është shumë e vështirë për ta bërë këtë, por kur erdha në Xhenoa desha të tregoja diçka të madhe. Kur erdha në Itali, të gjithë thërritën ‘bombarduesi’. ‘Bum bum’ është si bombardues, kështu që bëra festimin dhe të gjithë u çmendën. Shpresoj se do të luajmë me dy sulmues. Do të luajmë futboll të mirë këtë sezon.”
“Jam i përqendruar në sfidën time, gjithmonë dua të shënoj dhe shpresoj se këtë sezon do të jetë situatë e njëjtë. Për mua, tifozët e Milanit janë të shkëlqyer dhe tani ndihem më mirë. Kam më shumë besim në stadium dhe dua të kem një vit të madh për ta. Kur isha i ri, i pashë shumë sulmues. Një nga më të mirët është Kristiano Ronaldo, i dyti ishte Tieri Henri”, përfundoi bomberi.