Partizani ka dalë me njoftim dhe bën me dije lëvizjen e fundit në kampin e kuq. Mesfushori korçar, i riu Kristi Kote, ka nënshkruar kontratën e re me “demat”. I marrë nga ekipi i dytë, ai tashmë ka nënshkruar një marrëveshje që e mban atë te Partizani deri në vitin 2022.
“Klubi njofton marrëveshjen me Kristi Koten. Mesfushori 21 vjeçar ka nënshkruar sot kontratën e re për dy vite e gjysmë me të drejtë rinovimi edhe për një tjetër vit. Kote i cili iu bashkua ekipit në fillim të sezonit aktual duke u aktivizuar edhe në disa takime titullar,konsiderohet pjesë e rëndësishme e projektit të klubit. Drejtuesit do të vazhdojnë të ndjekin një strategji të tillë duke i besuar dhe mbështetur lojtarët e rinj të talentuar”, shkruan klubi i Partizanit.
Kote ka debutuar në një ndeshje kundër Flamurtarit në fund të muajit shtator. Ai fillimisht nisi të marrë minuta, ndërkohë që më pas arriti të luante edhe si titullar. Në pjesën e parë të sezonit është aktivizuar në 12 ndeshje, pesë prej tyre i ka nisur nga minuta e parë. Ai ka bindur trajnerin Gega dhe tashmë klub e ka shpërblyer korçarin me një kontratë të re.