Besimi na kualifikoi, nuk ndalemi me kaq

0

Trajneri i Skënderbeut mendon se edhe skuadra çeke mund të kalohet. Ai po mbledh gjithë informacionin për kundërshtarin, që t’i përgjigjet si duhet

Leonard Trebicka

Nga të gjithë u konsiderua si “arkitekti” i kualifikimit të Skënderbeut ndaj Kairatit. E pranoi këtë fakt edhe trajneri kundërshtar, por Ilir Daja i përcolli me modesti meritat te lojtarët dhe tifozët. Ai tani synon të kalojë edhe Mladën, për të cilën thekson se shanset për të kaluar më tej janë 50 me 50. Trajneri kryeqytetas beson se Skënderbeu është në gjendje të bëjë një ndeshje të mirë, edhe pse me mungesa. “Qan” faktin që ndeshjet shtëpiake zhvendosen në Elbasan, ndërsa për merkaton shprehet se i bën punë vetëm një sulmues i shpejtë dhe i fortë. Ja dhe rrëfimi i plotë i trajnerit Ilir Daja.

– Daja, si ndiheni tani, dy ditë pas atij kualifikimi të madh, që arritët ndaj Kairatit?

– Ndihem shumë mirë dhe jo vetëm unë, por gjithë ekipi, besoj dhe të gjithë korçarët, pasi i bëmë krenarë të gjithë. Tani kemi një motiv më të madh për të vazhduar më tej. E vetmi problem është se jemi disi të lodhur, pasi kemi javë të tëra që punojmë. Për këtë i lashë pushim një ditë lojtarët dhe nga nesër (sot) duhet t’ përqendrojmë të gjitha energjitë për Mladën.

– E kishit menduar para ndeshjes së kthimit se do të fitonit 2-0?

– Realisht jo. E kishim vlerësuar kundërshtarin dhe lojtarëve u kitha thënë se duhet ta respektonin drejt. E kisha thënë se shanset ishin 50% me 50%. Çdo gol që do të shënonim, do të na nderonte dhe e shënuam. Duhet të kishim kujdes në mbrojtje dhe e bëmë më së miri, pasi Kairati do të bënte gjithçka për gjithçka.

– Ndërrimet rezultuan shumë pozitive, sidomos ai i Plakut…

– Kur një trajner bën ndërrim, mund të dalë edhe keq, por probaliteti është që të ndryshojë pozitivisht lojën dhe kjo më doli me Plakun. Në fakt, Plaku u fut në fushë, pasi Xhejms ishte i dëmtuar dhe nuk kisha zgjidhje tjetër. Gjithsesi, i gjithë ekipi funksionoi mirë. Kemi duruar shumë administrimin e dendur të topit të kundërshtarit, pa e futur në zonën e golit. Ishim efikasë në kundërsulm dhe në fund ia dolëm.

– Daja, keni thyer rekordin personal si trajner, duke shkuar në raundin e tretë të Europa League. Kur do të ndaleni, apo rruga do të jetë e gjatë?

– Ndeshje të tilla, me sistem eliminimi, duhen përgatitur mirë, madje gjithçka në kohë rekord, sepse sapo përfundon njëra, fillon tjetra. Ndoshta me një short më të lehtë, nëse do ta kishim, do ta kisha menduar kalimin më tej, por mos harroni se sapo kaluam Kairatin, një super skuadër. Tani kemi anë pozitive psikologjinë e lartë, por duhet të qëndrojmë me “këmbë në tokë”.

– Euforia e korçarëve rezultoi pozitive, po ashtu si euforia e futbollistëve dhe presidencës etj. Ju vetë, keni qenë euforik për kalimin më tej?

– E ndjeja entuziazmin e gjithë qytetit dhe u ndjeva mirë realisht, por lojtarët vetë nuk ishin euforikë. Menaxhuam presionin e jashtëm, qoftë edhe nga Kairati, pasi ata thoshin se nuk e diskutonin fitoren. Por menaxhuam edhe “presionin” e mirë që vinte nga tifozët dhe ja ku jemi në raundin tjetër.

– Keni pushuar sot (dje), apo jeni duke studiuar Mladën? Nëse po, çfarë keni parë në video apo diçka tjetër?

– Të them të drejtën, sot (dje) jam duke mbledhur informacionin e duhur në drejtime të ndryshme, për të sistemuar dhe për të nxjerrë esencën, që duhet t’u përcjell lojtarëve për kundërshtarin e radhës.

– Lilaj, Xhejms dhe Vujoviç nuk do të jenë në ndeshjen e parë. Sa ju dëmtojnë këto mungesa?

– Kur i gjithë kontigjenti është në dispozicion në një ndeshje, sigurisht që ne si trajnerë e kemi më të lehtë për 11-shin. Kur mungon një lojtar si Lilaj apo Xhejms, që janë të formacionit bazë, është problem. Do të mundohemi me lojtarët që kemi për të bërë sa të jetë e mundur, që këto mungesa të mos ndihen.

– Çfarë ju keni thënë futbollistëve pas kualifikimit. Po presidentit Takaj, çfarë i thatë dhe çfarë ju tha?

– Me lojtarët kemi qenë entuziastë dhe jam përshëndetur me të gjithë. Pak gjëra ju thashë, pasi e meritonim ne të ishim në raundin e tretë. Të gjithë kishim besim shumë të madh se do kalonim më tej. Lojtarët janë aktorët kryesorë dhe meritojnë komplimente, ndërkohë që me presidentin festuam atë mbrëmje shumë pak dhe më pas nuk kemi folur, pasi nuk jemi takuar.

– Presidenti Takaj tani do grupet e Europa League. E vështirë?

– Jo e vështirë, por tej mase e vështirë. Sepse, nëse nga Championsi mund të fitosh dy ture dhe siguron grupet e Europa Lëague, këtu duhet të kalosh katër ture. Plus kësaj, në “play-off” vijnë edhe skuadrat, që nuk vazhdojnë më tej Championsin dhe kjo e bën garën edhe më të vështirë. Por kjo nuk do të thotë se do të ndalojmë me kaq. Nëse nuk besojmë, nuk ecim dot larg. Tani të fokusohemi më mirë te Mlada dhe të mendojmë vetëm për atë ndeshje.

– Olajinka, i cili ka luajtur në Çeki, ka thënë se Mlada është skuadër e mirë, por beson shumë te Skënderbeu…

– Në nivel paragjykimi, për të kaluar më tej shanset janë 50% me 50%, përderisa të dyja skuadrat kanë ardhur deri në turin e tretë. Por, nëse do të kishim edhe Olajinkën në skuadër në këto ndeshje, besimi do të ishte më i madh. Koeficienti i vështirësisë nga turi në tur rritet. Gjithsesi, nuk vendos vetëm ndeshja e Çekisë, pasi janë 180 minuta për t’u luajtur.

– Vetëm 4 seanca stërvitore përpara Mladës. Shumë pak, apo jo?

– Nuk do të thosha se janë pak. Nuk kemi pushuar në asnjë moment deri tani dhe do të vazhdojmë të punojmë me manovrën tonë. Jemi përgatitur si duhet gjatë minifazës në Slloveni dhe mendoj se 4 seanca janë të mjaftueshme për të dhënë më të mirën të enjten në Çeki.

– Ju kënaq barazimi me gola në transfertën e parë? A do të luani si në Kazakistan, ku shënuat?

– Do të bëjmë lojën tonë, të orientuar nga pragmatizmi. Të jemi të kujdesshëm, por, nëse qëndrojmë në mbrojtje, do të gabojmë, pasi duhet të shikojmë pa diskutim edhe sulmin, ashtu siç e pamë edhe ndaj Kairatit në Kazakistan.

– Sa shanse ka Skënderbeu për të kaluar në “play-off”-in e Europa League?

– E theksova edhe më supër. Ashtu si me Kairatin, shanset janë 50% me 50%.

– Ju dëmton fakti se Skënderbeu nuk do të luajë më në Korçë, por në “Elbasan Arena”?

– Absolutisht po. Sepse janë faktorë të ndryshëm. Në “Elbasan Arena” nuk do të jemi si në shtëpinë tonë, ku jemi përshtatur shumë. Atmosfera padiskutim që në Korçë është më e zjarrtë se në Elbasan, ku stadiumi është më i hapur. Përveç kësaj, në këtë sezon vere Korça ofron temperatura më të favorshme.

– Po “ujqërve të dëborës”, çfarë do t’u thoshit për mbështetjen e deritanishme?

– I falënderoj të gjithë. Prezenca e tyre është absolutisht një motiv edhe më i madh për ne.

– Flitet që portieri i Kukësit, Koliçi, e ka mbyllur me Skënderbeun. E vërtetë?

– Jam i përqendruar totalisht te mbledhja e informacioneve për Mladën dhe nuk kam kontaktuar aspak me presidentin Ardjan Takaj. Nuk di ç’të them më shumë se kaq.

– Po për Shend Kelmendin, dini gjë?

– Të hënën kam mësuar se do të jetë në stërvitje. Edhe për këtë vetëm kaq mund të them.

– Ju dhe presidenti keni thënë pas ndeshjes së fundit se do të ketë një ose dy goditje të mëdha. Ka gjë konkrete, për çfarë lojtarësh bëhet fjalë?

– Për këto dy javë, pra për sfidat me Mladën, do të dëshiroja  të kisha një qendërsulmues të shpejtë dhe të fortë. Nëse do të na vijë, do të ishte më mirë për ne. Duhet të “godasim” në këtë moment në merkato dhe do të ndjehesha vërtet më mirë me sulmuesin, që do ta doja të ishte cilësor. Nëse nuk do të bënte diferencën me lojtarët që kam, më mirë të mos vinte.

– Nesër (sot) filloni stërvitjen. Ka nevojë për ulje me “këmbë në tokë” ekipi, apo karikimi i madh mund të dalë edhe për mirë?

– Jemi me “këmbë në tokë”, sidomos lojtarët me eksperiencë. Këtu nuk kemi kohë të kalojmë në delir, sepse sapo përfundon një ndeshje, luhet tjetra. Ju e patë edhe vetë, që euforia që kishim ndaj Kairatit, nuk ndikoi aspak për keq në fushë. Për mua kjo eufori nuk ka fare lidhje me Mladën, pasi është ndeshje tjetër,  kundërshtar ndryshe.

You might also like
Leave A Reply

Your email address will not be published.