Besëlidhja kërkon të ruajë vendin e dytë në grupin A dhe për këtë duhet të marrë pikët e plota edhe ndaj Vllaznisë kryesuese të shtunën. Kalendarin lezhjanët e kanë në favor dhe do tentojnë ta shfrytëzojnë. Para ndeshjes me shkodranët është mbrojtësi Patrik Fetaj ai që flet.
“Besëlidhja kishte pretendime për Superioren. Edhe pse nuk e arritëm këtë objektiv, gjatë fazës së tretë ne si skuadër kemi një tjetër objektiv, renditjen në vendin e dytë. Pas fitores me Vllazninë këtë fundjavë, ne e thellojmë distancën me ndjekësit”, shprehet për SportEkspres.com mbrojtësi lezhjan, i cili ka qenë pjesë moshave të Partizanit në shkuarën.
Fitoren ndaj Vllazninë Fetaj e kërkon edhe në respekt të tifozerisë lezhjane, që sipas tij ka qenë mbështetje e madhe në çdo situatë që ka kaluar skuadra në këtë sezon. “Nuk e nisëm mirë këtë kampionat, por tifozët i kishim pranë në çdo sfidë. Tashmë edhe ata e duan një shpërblim nga ana jonë dhe besoj se vendi i dytë për Besëlidhjen duhet edhe në respekt të tyre”, përfundoi Fetaj deklaratën e tij.
AGRON KAJA