Leonard Trebicka
Goditja e madhe e Skënderbeut për sulmin mund të jetë Besart Ibrahimi, transferimi i të cilit te korçarët do të kishte në fakt një kosto të lartë. Sulmuesi i Maqedonisë dhe i Shkëndijës së Tetovës është ende nën kontratë me këtë të fundit dhe klubi juglindor duhet të paguajë për prishjen e kontratës dhe më pas duhet t’i afrojë një pagë të kënaqshme sulmuesit. Në fakt, kontaktet kanë ditë që kanë filluar, pasi menaxherët i kanë sugjeruar presidentit Takaj pikërisht Besart Ibraimin për sulmin dhe “bosi” është duke u menduar këtë pistë, që është e komplikuar jo pak.
JASHANICA PËR KARTONIN – Burime pranë klubit korçar bëjnë me dije se për të marrë Ibraimin nga Shkëndija e Tetovës duhet sakrifikuar një nga titullarët e ekipit. Bëhet fjalë për qendërmbrojtësin Bajram Jashanica, të cilin kërkojnë tetovarët për të lënë të lirë sulmuesin e tyre. Ndoshta Skënderbeu do të dilte i fituar me këtë shkëmbim, por bëhet fjalë vetëm për të paguar kartonin e Ibraimit. Mbetet për t’u parë, nëse korçarët do ta sakrifikojnë njërin nga lojtarët më të mirë, siç është Jashanica.
PAGA MUJORE – Kartoni është pjesa e parë e marrëveshjes, sepse më pas Skënderbeu duhet të paguajë një rrogë të konsiderueshme mujore për Ibraimin. Mësohet pretendimet e këtij sulmuesi janë diku te 16-17 mijë euro në muaj, një shifër e lartë për tregun shqiptar. Por, nëse kërkon një sulmues me potencial të madh, sigurisht që duhet të shpenzosh. Drejtuesit e Skënderbeut po tentojnë të arrijë akordin financiar dhe për këtë presidenti Takaj duhet të zgjidhë “qesen”. Pas largimit të Hamdi Salihit, Skënderbeut i duhet një sulmues “race” dhe Ibraimi është një i tillë. Salihi merrte një rrogë prej 15 mijë eurosh në muaj pagesa për të shkonte deri në 180 mijë euro në sezon, kurse për Ibraimin duhen më shumë, plus që duhet lënë i lirë mbrojtësi Jashanica për të shlyer pagesën, që kërkon Shkëndija e Tetovës.
KUSH ËSHTË IBRAIMI – Besar Ibraimi është një qendërsulmues i mirëfilltë. Eshtë shënuesi më i mirë në kampionatin maqedonas, me 20 gola. Sulmuesi 30-vjeçar i Kombëtares së Maqedonisë ka luajtur më parë edhe me Shalken në Gjermani, si dhe me disa ekipe në Ukrainë dhe Qirpo. Në dy sezonet e fundit me Shkëndijën ka realizuar 45 gola dhe është patjetër një nga ata sulmues, që i duhen Skënderbeut. Tani fjala i mbetet presidentit Ardjan Takaj.
Skeda e sulmuesit:
Emri: Besart Ibraimi
Datëlindja: 20 dhjetor 1986
Vendlindja: Kiçevo, Maqedoni
Pozicioni: Sulmues
Gjatësia: 1.82 m
Pesha: 76 kg
Këmba: E djathtë
Karriera
Renova (Maqedoni), Shalke 04 (Gjermani), Sevastopol, Tavria, Metalurg Zaporozhje (Ukrainë), Enosis, Ermis (Qipro), Shkëndija e Tetovës (Maqedoni)