Është mbyllur pa gola ndeshja e kreut në grupin B në Kategorinë e Parë, me Bylisin dhe Besën që nuk kanë mundur që të gjejnë golin në sfidën e fundit të javës së 13-të, duke mos ndryshuar asgjë sa i përket dy vendeve të para në klasifikim.
Bylisi ishte më agresiv, natyrshëm, pasi luante në shtëpi, por duhej të evitonte rrezikun që mysafirët të përsërisnin një sukses si në fazën e parë, kur triumfuan në shifrat 2-0. Bylisi ju afrua shumë golit në sekondat e fundit të ndeshjes, por Miraka u bë disa herë shpëtimtar për skuadrën e tij. Notë pozitive dhe për portierin Bytycci, i cili po ashtu nuk lejoi që porta e tij të prekej.
Skuadra kavajase nuk ia ka dalë që të marrë vendin e parë në klasifikim në Ballsh, me Bylisin që vijon të mbetet lideri i grupit të B, me 27 pikë. Besa shkon në kuotën e 25 pikëve, por sheh Egnatian vetëm 3 pikë larg. Si Besa ashtu dhe Bylisi janë skuadrat favorite për t’u ngjitur në Kategorinë Superiore.