Berisha te Leganes, Tirana do kërkojë zyrtarisht 270 mijë €

Ish-futbollisti i Tiranës, Elvi Berisha, është përfundimisht pjesë e skuadrës spanjolle të Leganes, një lajm i rëndësishëm për karrierën e tij, të ardhmen kuqezi – është pjesë e Kombëtares Under 19 – por në mënyrë indirekte dhe për Tiranën. Lojtari u largua nga bardheblutë me parametra zero, pasi nuk preferoi të nënshkruante asnjëherë një kontratë profesioniste me klubin. Megjithatë, sipas ligjeve të FIFA-s dhe UEFA-s klubi bardheblu mund të përfitojë taksën e formimit për periudhën 3-vjeçare që ai ka luajtur me të rinjtë. Ky është një rregull që i nënshtrohen të gjitha klubet që firmosin për herë të parë kontratë profesioniste me një futbollist nën 23-vjeç që vjen nga një shtet tjetër. Klubi që firmos duhet të paguajë për ekipet paraardhëse të tij të moshave. E rëndësishme është të theksohet që pagesa tarifohet sipas kampionatin ku shkon dhe jo nga vjen. Në këtë pikëpamje Tirana pretendon 270 mijë euro, duke qenë se Spanja e ka tarifën 90 mijë euro në vit për rritjen e lojtarit.

Tirana po kërkon informacion në sistemin e FIFA-s në lidhje me llojin e kontratës që Berisha ka nënshkruar te Leganes. Nëse një e tillë është profesioniste, atëherë do bëjë menjëherë kërkesën në klubin spanjoll që duhet të ekzekutojë kërkesën 30 ditë nga data që është bërë. Tirana pretendon se në fund të aventurës si bardheblu Berisha nuk morri asnjëherë një vërtetim, sipas së cilit klubi nuk kërkon asgjë nga rritja dhe edukimi sportiv i futbollistit. Kësisoj nëse gjërat shkojnë sipas parashikimeve, Tirana do përfitojë dhe 270 mijë euro të tjera nga largimi i një lojtari gjithsesi të talentuar.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *