Shumë futbollistë shqiptarë që luajnë në kampionate të huaja e kanë nisur sezonin dhe disa prej tyre, kanë zbritur në fushën e lojës sot. Për Akhmat Groznin, që luajti javën e dytë në kampionatin rus, në fushën e lojës ishin Bernard Berisha nga minuta e parë dhe Odise Roshi, i cili u aktivizua në minutën e 61-të. Asnjëri nga futbollistët shqiptarë nuk arriti të lërë gjurmë dhe Grozni u mposht 3-0.
Në Zvicër, Kololli bëri një ndeshje për t’u harruar me Zyrihun dhe ekipi i tij u mposht 0-4 në shtëpi nga skuadra e Luganos. Ndërsa në ligën e dytë zvicerane, u përplasën kundër njëra-tjetrës skuadrat e Kriens e Vaduzit, ku në fushë ishin plot pesë shqiptarë. Kukeli luajti si titullar për Kriensin, ndërsa sulmuesi i talentuar, Rezart Hoxha, gjeti dhe golin, duke i dhënë fitoren 1-0 ekipit të tij.
Në Suedi, Anel Rashkaj udhëhoqi si gjithmonë ekipin e Eskiltunës në fushë me shiritin e kapitenit. Futbollisti i Kosovës luajti 90 minuta, së bashku me talentin Lushaku, në sfidën përballë Goteborgut.