Rafael Benitez ishte trajneri në krye të Liverpulit në finalen e madhe të Stambollit në vitin 2005, ku të kuqtë e tij përmbysën disavantazhin 3-0 përballë Milanit, për të triumfuar më pas me penallti. Këtë sezon, Liverpuli përmbysi Barcelonën dhe arriti finalen e Champions League.
I pyetur se cila nga dy ndeshjet ishte më e bukura, Benitez u përgjigj: “Hajdeni pra, duhet ta dini. Mbrëmja e Stambollit është legjendare, e papërsëritshme. Përmbysja kundër Barcelonës ishte diçka shumë e mirë, por në Stamboll, Liverpuli ishte totalisht ndryshe.
Kishim vetëm 45 minuta për të përmbysur disavantazhin 3-0 përballë Milanit, një nga skuadrat më të mira në historinë e futbollit. Lojtarët luajtën me fanellë, me emocion. Nuk kishte më taktika. Liverpuli i këtij edicioni pati 90 minuta në dispozicion, në “Anfield Road”. Kështu që Stambolli ishte shumë më ndryshe dhe mbetet ndeshja më e mirë e Liverpulit”, u shpreh ish-trajneri i të kuqve.