Behrami hap zemrën: Shqiptarë vetëm në humbje, nuk e urrej dot Zvicrën!

Valon Behrami është një nga shqiptarët e shumtë që mbrojtur ngjyrat e Zvicrës. Pas kampionatit Botëror, mesfushori u largua me polemika nga kombëtarja “helvete” . Së fundmi ai ka dhënë një intervistë për “DAZN”, ku ka diskutuar për vendlindjen, vitet e para në Zvicër dhe situatën në kombëtaren e drejtuar nga Vladimir Petkoviç.

VENDLINDJA – “Kam lindur në Mitrovicë, që është një vend shumë i veçantë. Qyteti është i ndarë nga një urë, ku në njërin krah janë serbët dhe në tjetrin kosovarët. Gjithmonë mendoj se sa ç’kanë hequr të afërmit  e mi. Çfarë nuk u kanë parë sytë, gjëra që s’mund të fshihen nga kujtesa”.

ARRITJA NË ZVICËR – “E kam pasur shumë të vështirë të ambientohesha në Zvicër. Unë dhe familjarët e mi nuk e dinim gjuhën, por me kalimin e kohës filluam të integroheshim. Kultura e zvicerane u bë dhe kultura ime”

KRITIKAT NË KOMBËTAREN ZVICERAN – “Kam qenë shumë i zhgënjyer, pasi në shumë raste kur humbnim, unë kthehesha në shqiptar, ndërsa kur fitonim ishim të gjithë zviceranë. Këto gjëra më shkaktonin dhimbje. Por, unë s’mund të ndjeja urrejtje për një vend që më ka dhënë gjithçka në futboll dhe në pjesë të tjera të jetës.

FUNDI I PAPRITUR – “Pas Botërorit fola me trajnerin Petkoviç. Vendosëm që do të qëndroja në kombëtare edhe për dy vite të tjera. Ndihesha si një pjesë e rëndësishme e kombëtares dhe të gjithë kishin vlerësim të lartë për mua. Tri javë pas bisedës, kur po kthehesha nga pushimet, trajneri më mori në celular dhe më tha që nuk dëshironte të më merrte më në kombëtare. Nëse do të ma kishte thënë më parë, do ta përjetoja më lehtë. Gjithsesi nuk kam asnjë gjë me atë, nuk ishte vendimi i tij”, përfundoi Behrami.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *