Begeja: Erzeni do vendin e dytë, vlerësim maksimal Dinamos

Vllaznia zor se e lëshon kreun në grupin A të Kategorisë së Parë, ndërkohë që gara tani është e hapur për vendin e dytë. Erzeni, Dinamo e Korabi kanë të njëjtën sasi pikësh dhe shijakasit duan ta mbyllin para rivalëve në kampionat.

Gentian Begeja, trajneri i Erzenit, për “SportEkspres.com” deklaron: “Gara në Grupin A duket e përfunduar, por Erzeni nuk e mendon kështu. Jemi në garë me veten, sepse kemi deklaruar hapur synimin për vendin e dytë. Do të jetë një rivalitet i fortë mes nesh, Dinamos e Korabit. Por pse jo edhe Besëlidhjes. Kjo besojmë se do ta bëjë edhe më të bukur garën, që mendohet si e zbehur me shkëputjen e Vllaznisë në krye”.

Për ndeshjen me Dinamon, Begeja deklaron se tri pikët janë në lojë për të dyja skuadrat. “Përballemi me një kundërshtar të fortë, të vështirë dhe me një emër të madh në futbollin shqiptar. Ndaj edhe vlerësimi ynë është maksimal. Tri pikët nuk i mendojmë të lehta, por do t’i synojmë gjatë gjithë 90 minutave. Ato janë në lojë për të dyja skuadrat”, përfundon Begeja.

AGRON KAJA

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *