Partizani mundohet të gjejë rrugëdalje nga situata e vështirë në të cilën ndodhet në këtë fillimsezoni dhe duket se tashmë frika më e madhe është humbja e mbështetjes së tifozëve, pasuri e madhe e klubit. Për këtë arsye, sot është shfaqur në konferencë për shty kapiteni i ri Idriz Batha, i cili ka kërkuar falje në emër të skuadrës, duke i ftuar tifozët të qëndrojnë pranë skuadrës, që sipas tij është mëse e bashkuar.
“U kërkoj publikisht falje tifozëve tanë, pasi i kemi zhgënjyer me rezultatet e arritura në këto ndeshje. Atyre u detyrohemi më shumë se kaq. Pa tifozët nuk mund të vazhdojmë përpara. Nuk ka më kohë për të qarë më pikët e lëna, tani duhet të mblidhemi të gjithë si një zinxhir bashkë lojtarë, drejtues, tifozë për të vazhduar përpara pasi jemi Partizani dhe duhet të shfaqemi siç ka bërë ndër vite ky emër i madh”.
ZËRAT PËR KLANE BRENDA EKIPIT – “Lidhur me zërat që qarkullojnë se brenda në skuadër janë krijuar grupe, dua të them se kjo është një shpifje që bëhet ndaj Partizanit, në skuadër nuk ka grupe, është vetëm një grup ai për të mirën e Partizanit dhe kaq, nuk ka grupe mes lojtarëve të rinj e të vjetër por ka vetëm një ekip”.
PËRGJEGJËSIT – “Përgjegjës për këtë situatë jemi të gjithë ne, lojtarët, stafi. Nuk mund të drejtosh gishtin tek individë dhe t’i ngarkosh me përgjegjësi, jemi të gjithë fajtorë për këtë fillim negativ. Në këtë moment na kanë munguar rezultatet, pasi ekipi po stërvitet mirë, në skuadër ka harmoni dhe si trajneri, ashtu edhe ne lojtarët, kemi një bashkëpunim mjaft pozitiv, e them me bindje se rezultat do të vijnë”.
ÇFARË NUK SHKON – “Ekipi është, lojtarët janë, cilësia nuk mungon, por që nuk duhet bërë dramë, janë vetëm 3 ndeshje dhe ne duhet të vazhdojmë të shohim takimet e radhës. Ndodh që në momente të ndryshme të sezonit çdo ekip mund të kaloj edhe ngërçe të ndryshme,por po të marrim shembull shumë ekipe mjaft të njohura në Europë i kalojnë këto momente. Nuk duhet ta ulim kokën, janë në lojë edhe 33 ndeshje të tjera ndaj duhet të shohim përpara dhe mendoj se do të arrijmë atje ku duam të shkojmë.
KRAHASIMI ME PARTIZANIN E SË SHKUARËS – “Çdo trajner ka metodat e veta të punës dhe modul loje. Dua të them se edhe Juliano po përshtatet me ne dhe me kampionatin dita ditës gjithashtu edhe lojtarët që janë afruar. Kam shumë besim se që këtë javë do të bëjmë kthesën e duhur. Jam i bindur që ky Partizan do të shkoj drejt objektivave që kemi ne si skuadër”.
SULMI NUK SHËNON – “Futbolli është i paparashikueshëm. Në ndeshjet e ardhshme sulmuesit mund të shpërthejnë dhe të gjejnë golat. Nuk mendoj se është faji i Çanit apo Sukajt, por e përmenda edhe më parë faji është i të gjithëve, të gjithë duhet të punomë më shumë për të arritur te goli”.
MBROJTJA ÇALON – “Nuk mund të them që skuadra po çalon në repartin mbrojtës, mendoj se çdo repart dhe çdo lojtar ka nevojë të përmirësohet më shumë, jo vetëm mbrojtja, por edhe mesfusha e sulmi”.