Migjen Basha e di mirë rëndësinë e dy takimeve të radhës së kombëtares. Me datë 8 qershor luajmë në transfertën e “ftohtë” islandeze, ndërsa katër ditë më vonë na viziton Moldavia. Këto janë ndeshjet debutuese të Edi Rejës në stolin e shqiponjave dhe mesfushori i Arisit jep përshtypjet e para për trajnerin e ri, por jo vetëm.
PARTIZANI – “Së pari zërat e merkatos kush i ka thënë. Ishte vetëm një foto që u bë e madhe dhe doli që Basha është për te Partizani. Kam edhe një vit kontratë me Arisin. Nuk është e vërtetë. Çdo lojtar do të shkojë në Champions. Kam kontratë dhe asgjë të vërtetë. Si ta them që unë kam dëshirë kur kam edhe një vit kontratë. Mund të jap një përgjigje që mund të hapë probleme. Ishte rastësi, një foto. Nuk ka asgjë të vërtetë”.
NDRYSHIMI – “Ekipi nuk është i plotë tani, po ndihemi më të lirë me Rejën. Ka qenë ndryshe me Panuçin, por nuk e bëj fajtor atë. Është trajner i ri, me tjetër mentalitet. Varet nga rezultatet, me fitore rritet harmonia. Ndryshe bëhet problem”.
REJA – “Është ndryshe, Panuçi vendosi rregullat e tij dhe u munduam t’i zbatojmë. Duhen respektuar. Nuk e di nëse ishin pozitive apo jo. Mund të them që është ndryshe me Rejën. Nuk ia jap gjithë fajin Panuçit, por kur janë rregullat duhen respektuar. Jemi përgatitur pak taktikisht, po punojmë në aspektin fizik. Më pas do shohim si do stërvitemi. Ka më shumë eksperiencë dhe shikohet që ka raport tjetër me lojtarët”.
NDESHJET – “Jemi profesionistë, nuk e marrim lehtë. Luajmë për vendin tonë, nuk ka lidhje miqësore apo jo. Disa herë kemi bërë mirë, disa herë jo. Vitin e fundit ka pasur shumë mungesa, Panuçi bëri disa teste dhe nuk shkuan gjërat mirë. E dimë që duhet patjetër rezultat. Duhet të fitonim më Turqinë. Është me rëndësi të marrim pikë me Islandën dhe Moldavinë. Ka humbur pak entuziasti dhe duhet që ne lojtarët ta kthejmë me rezultate. Kur të spostohemi në Tiranë mund të ndryshojë situata”.