Barcelona këtë sezon shihet të ketë probleme të vazhdueshme në fazën difensive, më së shumti nga dëmtimet. Qendra e mbrojtjes shihet si më problematikja, ku aktualisht vetëm dy lojtarë janë të gatshëm. Samuel Umtiti dhe Tomas Vermalen janë të dëmtuar dhe përforcimi në merkaton e janarit shihet si një domosdoshmëri.
Lidhur nga këto fakte, ditën e sotme radioja katalanase “RAC1”, ka raportuar se Barcelona është në detajet e fundit për të firmosur me mbrojtësin e Valencias, Xhejson Murijo. Kolumbiani, shumë i kushtëzuar nga dëmtimet, pothuajse nuk ka gjetur hapësira te klubi nga “Mestalla”, duke luajtur vetëm 16 ndeshje në harkun e një viti.
Ekipi blaugrana është përfolur gjithashtu dhe për një interesim për ish-mbrojtësin e Çelsit, Branislav Ivanoviç, i cili aktualisht luan me Zenitin në Rusi. Martin Skrtel po ashtu është një ndër objektivat e katalanasve, por një zyrtarizim i Murijos, do të bënte që këto pista të hidheshin poshtë.