Barcelona dhe Liverpul do të përplasin brirët sonte në “Camp Nou”, duke filluar nga ora 21:00. Në aktin e parë të dyja skuadrat vijnë me grup të plotë dhe janë të gatshëm fizikisht dhe mendërisht për të përballuar njëra-tjetrën.
Tek katalanasit dy dilemmat e vetme janë në krahun e djathtë të mbrojtjes dhe në të majtë të sulmit. Semedo, që ofron më shumë siguri difensive, por guxon më pak përpara, është në duel më Serxhi Roberton, i cili ka karakteristika të kundërta me portugezin.
Në sulm Valverde është në dyshim nëse duhet t’i besojë dinamikës dhe shpejtësisë së Dembele apo teknikës dhe fantazisë së Kutinjos. Pjesa tjetër e ekipit katalanas do të jetë e zakonshmja. Do të zbresin në fushë me modulin klasik 4-3-3.
Barcelona: Ter Shtegen, Zhordi Alba, Lengle, Pike, Serxhi Roberto (Semedo), Rakitiç, Buskets, Artur Melo, Dembele (Kutinjo), Suarez, Mesi.
Në kampin e anglezëve ekipi është i plotë dhe do të zbresin në fushë më të mirët. Jurgen Klop nuk ka shumë dilema të mëdha se kush do të zbresë në fushë, pasi edhe niveli i rezervave është larg atij të titullarëve të zakonshëm. E vetmja çështje e Klopit është mesfusha.
Kapiteni Henderson dhe holandezi Vinjaldum janë të sigurt dhe është në balotazh Fabinjo me Xhejms Milner për të plotësuar treshen e “gladiatorëve” të mesfushës. Firmonjo ishte në dyshim pas problemeve fizike, por i është dhënë drita jeshile për të luajtur.
Liverpuli: Alison, Robertson, Van Dijk, Matip, Aleksandër-Arnold, Fabinjo (Milner), Vinjaldum, Henderson, Sadio Mane, Roberto Firminjo, Mohamed Salah.