Dembele, Kutinjo? Jo, asnjëri prej tyre, të paktën për momentin. Barcelona ka zyrtarizuar sot blerjen e parë që pas shitjes së Nejmarit, duke blerë mesfushorin Paulinjo për 40 milionë euro.
Braziliani, prej vitit 2015 te Guangzhu Evergrande në Kinë, ka qenë një objektiv i Barcelonës gjithë verën dhe tashmë klubi katalan ka kompletuar transferimin, ndoshta duke nuhatur rrezikun e mbetjes pa mesfushor, pasi Liverpuli është gati për betejë, kundër shitjes së Kutinjos.
Paulinjo, 29 vjeç, ka luajtur për një sezon e gjysmë në Angli, te Totenhemi, ndërsa më parë ka luajtur për shumë vite te Korintiansi dhe është pjesëtar i rregullt i kombëtares braziliane. Një biznes i shkëlqyer për Gunagzhunë, që e bleu për rreth 13 milionë euro, ndërsa befason Barcelona, sepse realisht Paulinjo nuk duket profili i futbollistit që ka nevojë Barça, aq më shumë që nuk është një talent që garanton edhe 10 vite karrierë.