Largimi i Munir El Hadadit, duket se i ka prishur punë më shumë nga çfarë mendohej ekipit të Barcelonës. Tashmë, katalanasit nuk kanë zëvendësues ideal për rolin e Luis Suarez dhe pavarësisht emrave të shumtë që janë përmendur, ende nuk ka pasur diçka konkrete apo zyrtare.
Ditët e fundit, u përfol për Oliver Zhirun, por ishte agjenti i francezit, i cili deklaroi se nuk ka pasur asnjë kontak mes Barçës dhe klientit të tij. Tashmë, duket se Barça është përqendruar në La Liga për të gjetur zëvendësuesin e Munir dhe pistat më të mundshme duken Kristian Stuani ose Maksimiliano Gomez.
Sulmuesi i Gironës, ka impresionuar jo pak me formën e treguar në La Liga, por klauzola e tij e lirimit është 15 milionë euro, shifër shumë e lartë për një lojtar i cili i ka kaluar të 30-tat. Kështu, zgjidhja e vetme për katalanasit mbetet opsioni për të transferuar sulmuesin e Selta Vigos, Maksimiliano Gomez.
Selta kërkon të paktën 35 milionë euro, shifër e cila duke marrë parasysh që në një të ardhme, uruguaiani mund të kthehet në sulmuesin kryesor të ekipit mund ta bindë Barçën që të hapë thesin. Luis Suarez numëron 31 vite mbi supe, ndërsa Gomez, i cili ka spikatur jo pak, është vetëm 22 vjeç. Gjithsesi, mbetet për t’u parë zgjidhja që do t’i japë klubi blaugrana “hallit” për sulmues.