Skuadra e Tërbunit barazoi në ndeshjen e javës së 16-të me Luzi 2008, skuadra rivale më e afërt e pukjanëve në kreun e renditjes të Grupit A. Trajneri Oltjon Kërnaja nuk e quan dështim dhe ndalje në synimet e skuadrës së tij atw barazim, por vetëm një shans të humbur për të thelluar diferencën. Ndërkohë, për ndërprejen e kampionatit pas bojkotit të arbitrave ai deklaron se nuk ndikon për mirë për ta, por gjithsesi e quan të drejtë.
Për SportEkspres.com, Kërnaja deklaron: “Ishte një barazim që më shumë erdhi nga gabimet tona individuale. Tashmë ai takim është mbyllur dhe harruar. Mendojmë për ndeshjet e tjera. Bojkoti i arbitrave për ne nuk ndikon pozitivisht, sepse pas pushimit duhet të ndahemi për tre javë nga kampionati. Gjithsesi ata kanë të drejtë në këtë vendim që kanë marrë”.
Për vazhdimësinë, tekniku Kërnaja deklaron se Tërbuni nuk do të gabojë si me Luzi 2008. “Kemi ende ndeshje për të treguar se e meritojmë Kategorinë e Parë, ndaj nuk do të gabojmë si me Luzi 2008”, shprehet trajneri i Tërbunit.
AGRON KAJA