Bakajoko: Nuk kam refuzuar kurrë të zbres në fushë, trajneri m’u drejtua me fraza të pahijshme!

Timue Bakajoko është çështja kryesore e përfolur aktualisht te Milani, me francezin që një natë më parë thuhet se refuzoi të hynte në fushën e lojës, si dhe iu drejtua trajnerit Gatuzo me fraza ofenduese.

Këto spekulime, mesfushori i ka hedhur poshtë, duke bërë një postim në “Twitter”, si për të sqaruar të gjithë situatën, të paktën nga ana e tij. Bakajoko shkruan se kurrë nuk ka refuzuar të hyjë në fushë dhe se mundohet të japë gjithmonë 200% edhe sikur të luajë për pesë minuta.

“Ka shumë javë që flitet për mua në shtyp, por nuk kam pasur kurrë gjë për të thënë dhe kam vazhduar të punoj. Ajo që ndodhi ndaj Bolonjës dhe interpretimi që kërkuan t’i bëjnë më detyrojnë të reagoj menjëherë, sepse nuk pranoj që të konsiderohem lojtar që refuzon të futet në ndeshje kur ia kërkon trajneri, duke mos respektuar klubin dhe shokët e ekipit.

Së pari, isha në stol, 200% gati, edhe nëse do duhej te luaja vetëm 5 minuta. Kur Bilja nisi të kishte probleme, m’u kërkua të bëhesha gati nëse do duhej ndërrim. U bëra gati me shpejtësi dhe për 2-3 minuta bëra nxehje, para se të kthehesha në stol. Kur u ktheva aty, trajneri m’u drejtua me fraza të pahijshme, ndërsa unë thjesht po përsëritja fjalët e tij.

Asgjë më shumë. Të jetë e qartë: Nuk kam refuzuar kurrë të zbres në fushë. Pamjet flasin vetë, unë doja të zbrisja në fushë, të jepja ndihmën time. Dëshira ime është të ndihmoj shokët e ekipit dhe të jap më të mirën, siç kam bërë deri tani dhe do vazhdoj ta bëj deri në fund të sezonit. Forca Milan!”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *