Huazimi i Tiemue Bakajokos nga Çelsi te Milan solli entuziazëm në kampin e kuqezinjve. Mesfushori 24-vjeçar u mendua si një nga përforcimet më të mira në mesfushë, por koha po tregon të kundërtën. Francezi nuk është përshtatur akoma në futbollin italian dhe Xhenaro Gatuzo nuk i ka fshehur pakënaqësitë e tij.
“Bakajoko duhet të mësojë se si të rikuperojë topin. Ne duhet të punojmë ashtu siç duhet. Nuk do të jetë e lehtë. Një javë nuk mjafton për të korrigjuar defektet e lojtarit. Do të kisha preferuar të menaxhoja lojtarë më të vjetër, me më shumë eksperiencë”, shprehet trajneri i Milanit.
Siç citon “Mirror”, klubi i Milanit ka “kërcënuar” Çelsin me ndërprerje të huazimit një-vjeçar dhe Bakajoko, i cili u ble në vitin 2017 për shumën e 40-milionë eurove nga Monako, mund të rikthehet në “Stamford Bridge”. Kuqezinjtë pretendojnë se lojtari ka “defekte në lojën e tij” dhe ky i fundit mund të detyrohet të bëjë një rikthim të hidhur te “Blutë e Londrës” që në janar.
Sezonin e kaluar, lojtari zhvilloi 43 ndeshje me Çelsin, ku shënoi tre gola, ndërsa sivjet me Milan ka luajtur në katër ndeshje, por pa arritur të lërë shenjën e tij. Siç citon “Corriere dello Sport”, gjashtë ndeshjet e ardhshme janë deçizive për të ardhmen e mesfushorit në Milano.