Ylli Shameti vijon seancat e terapisë dhe tashmë çdo ditë e më shumë larg skuadrës zbeh shanset që të jetë i gatshëm për ndeshjen me korçarët.
Kukësi është i përqendruar te ndeshja e javës së katërt, teksa përballë do të jetë Skënderbeu. Të hënën në “Zeqir Ymeri” do të luhet “finalja” e titullit të sezonit të shkuar. Në javën e parafundit, mes shumë polemikash kuksianët arritën të shkurorëzonin korçarët dhe të rrëmbenin titullin e parë në histori. Normalisht që tashmë situata ndryshon, megjithatë dhe fakti se të dyja skuadrat janë në të njëjtën kuotë pikësh, bën që të jetë një takim interesant. Përgatitjet për ndeshjen kanë nisur që dje, por sot skuadra është përgatitur me ngarkesën e plotë. Me grupin është bashkuar kapiteni Hallaçi, ndërsa Elis Bakaj ka bërë vetëm vrapime rreth fushës. Sulmuesi ende nuk ka marr garanci të plotë që do të jetë në fushë, por gjasat janë që të jetë në dispozicion të stafit teknik. Shameti vijon terapinë intensive dhe synon që me çdo kusht të jetë në fushë, megjithatë mbete për t’u parë nëse do ia dalë apo jo, pasi ka dhe shumë pak kohë në dispozicion dhe situata nuk është shumë premtuese, gjithsesi në Kukës e duan me çdo kusht në fushën e lojës.