Bushi prezanton anti-Islandën: Pres shumë nga Shpresat, së shpejti vijnë edhe dy talente nga Danimarka

0

Të martën e ardhshme në Elbasan Shqipëria U-21 do të luajë ndeshjen e katërt kualifikuese për Europianin e kategorisë. Përballemi sërish me Islandën, të cilën e mundëm në fillim të muajit, duke marrë fitoren e parë në kualifikuese.

Tani “oreksi” është shtuar, sepse një fitore tjetër ndaj Islandës së fortë na ngjit ndjeshëm në renditje dhe trajneri Alban Bushi është optimist, pasi grupi që ka në dispozicion i jep shpresa të mëdha.

“Islanda është një ekip mjaft cilësor, por e mundëm një herë dhe mund t’ia dalim sërish, pavarësisht se Islanda niset favorite. Në 3 ndeshjet e para kam mbetur shumë i kënaqur nga ekipi. Është eksperienca ime e parë si trajner dhe e kisha pak me frikë, por kam pasur një ndihmë të madhe nga të gjithë dhe lojtarët kanë qenë fantastikë, ndaj kemi luajtur tre ndeshje shumë të mira. Meritonim më shumë, në aspektin e rezultateve, por futbolli i tillë është, ndonjëherë luan mirë e humbet dhe e kundërta”, deklaroi sot trajneri i Shqipërisë U-21, gjatë prezantimit të listës së kombëtares.

Dhjetë lojtarë nga lista me 23 emra janë nga kampionati shqiptar, një lajm i mirë, pasi tregon se po prodhojmë, edhe pse trajneri e pranon se kampionati ka ende shumë punë për të bërë: “Kampionati ynë ka lojtarë interesantë, por ka ende nevojë të rritet në cilësi, edhe pse ka pasur rritje vitet e fundit. Kam grumbulluar disa lojtarë, ka edhe emra të tjerë të piketuar, por dua t’i grumbulloj për një miqësore në nëntor. Ndër këta emra është edhe Jurgen Bardhi, i cili është një lojtar i talentuar dhe është në planet e mia për të ardhmen”.

Bushi zbulon se së shpejti me kombëtaren do të bashkohen edhe dy talente nga Danimarka, të cilët luajnë me Vejlen, aty ku luan edhe Ylber Ramadani: “Mesfushorët Agon Muçolli dhe Arbnor Muçolli, vëllezër që luajnë te Vejle, 19 dhe 18 vjeç, së shpejti do të bëhet pjesë e kombëtares. Presim të marrin pasaportën shqiptare, pasi kanë shprehur gatishmërinë të luajnë për ne, pa u ndikuar nga Ylber Ramadani, sepse i kemi pikasur me kohë, por edhe ai ka folur me ta, natyrisht”.

You might also like
Leave A Reply

Your email address will not be published.