Tre ndeshje pa fitore në Bundesligë janë shumë për Bajernin e Mynihut. Duke i shtuar dhe barazimin në Champions përballë Ajaksit, bavarezët regjistrojnë ndeshjen e katërt pa fitore, një gjë që nuk ndodhte që nga viti 2009. Djemtë e Niko Kovaç janë mposhtur në shtëpi përballë Gladbahut, që ka fituar mr rezultatin 0-3, duke u ngjitur në vendin e dytë me 14 pikë, tre më pak se kryesuesit e Dortmundit.
Ndeshja nisi keq për Bajernin, sepse miqtë shënuan dy gola brenda çerek orëshit të parë të ndeshjes. Francezi Plea kombinoi bukur me Hofman në minutën e dhjetë dhe lëshoi një të djathtë të pakapshme për Manuel Nojer.
Kur u mendua se do të vinte reagimi i bavarezëve, miqtë shënuan golin e dytë pas gjashtë minutash. Hofman dhuroi asistin e dytë për Shtindel dhe kapiteni, pasi shmangu bukur një mbrojtës brenda zonës, goditi bukur duke i dhuruar golin e dytë ekipit të tij.
Bajerni sulmoi gjatë gjithë kohës për të gjetur golin, por pa forcën dhe qartësinë e duhur. Robert Levandovski arriti të dërgojë topin në rrjetë në minutën e 68-të, por polaku ishte në pozicion jashtë loje dhe goli u anulua.
Në minutat e fundit vendosi të lërë shenjen e tij në këtë takim dhe Patrik Herrman. 27-vjeçari u fut në lojë në minutën e 74, pas katër minutash u ndëshkua me karton të verdhë, ndërsa në minutën e 88-të shënoi golin e tretë për miqtë.
Festë për Gladbah, që i gëzohet tre pikëve të arta, ndërsa zhgënjim për Bajernin, që renditet përkohësisht në vendin e pestë, me katër pikë më pak se Dortmundi.
Bajern Mynih – Gladbah 0-3
(Plea 10′, Shtindël 16′, Herrman 88′)